Programi “E Diell” vjen çdo të dielë në ekranin e Top Channel duke bërë bashkë të vegjël e të mëdhenj, kjo për shkak të karakterit argëtues, informues e edukativ që ka. Një program me rubrika të dedikuara për të gjitha moshat e për të gjithë shqiptarët brenda e jashtë vendit, nga fëmijët 7 vjeç deri në zonjat e zotërinjtë që kanë nostalgji për kohën që kemi lënë pas, apo duan të dinë diçka më tepër mbi aktualitetin.
Pa Filtra, një rubrikë e “E Diell“, nuk ka asnjë filtër për njerëzit që duan të prekin televizionin për 1001 arsye. Një i panjohur por me një histori frymëzuese apo ëndërr të madhe përballet në studio me katër figura publike ku pritet të ndodh e papritura.
Javën e kaluar ndodhi një skenë e papritur mes njërit nga konkurrentët dhe Françeska Muratit. Konkurrenti ishte piktor dhe kishte sjellë në studio nga një karikaturë për anëtarët e jurisë dhe moderatorin e rubrikës, Ronaldo Sharka. Të gjithë e pëlqyen portretin e tyre, përveç Françeskës të cilën ai e kishte pikturuar si shtrigë e kjo nuk e priti aspak mirë këtë gjest madje u largua nga studio.
Në episodin e ditës së djeshme, konkurrenti i kishte dërguar një buqetë me lule dhe një pikturë të bukur të portretit të saj Françeskë. Por jo vetëm kaq, gjithashtu i kishte dërguar edhe një letër të cilën e lexoi Ronaldo:
Qëllimi i një artisti është të shkaktojë debat me e tij, por asnjëherë të lëndojë njerëz dhe aq më tepër njerëz me mirësi si ju Françeska. Më vjen keq nëse je lënduar, kërkoj ndjesë, përqafime Silvi Mateli.