Aktualitet

Me urdhër të SPAK-ut, pranga kryeprokurorit të Vlorës dhe tre personave!

Arrestohet kryeprokurori i Vlorës. SPAK-u lëshoi katër urdhër-arreste, mes tyre për Aurel Zarkën, drejtues i organit të akuzës Vlorë. Dyshohet se abuzoi me detyrën për një procedim. Po ashtu, në pranga ra ⁠Eriona Dautaj,  ish-oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, hetuese në Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH e aktualisht studente e Magjistraturës.

Dy të arrestuarit e tjerë janë avokatët Astrit Vladi e Radovan Çela.

Kryeprokurori i Vlorës akuzohet për veprën penale “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Zarka u konfirmua në detyrë muajin e kaluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK.

Në sistemin e drejtësisë, karrierën e nisi si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokuror u emërua në vitin 2012 dhe prej asaj kohe ushtron funksionin në Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.