“Në Shqipëri më rrezikohet jeta”, Durim Bami kundërshton ekstradimin. Mbrojtësit e të shumëkërkuarit të SPAK-ut thanë se Bami iu renditi emrat e personave që sipas tij duan ta vrasin. Këta emra, i ka marrë prej dosjes Metamorfoza ku protagonistë të krimit të organizuar bënin plane ta eliminonin. Bami u arrestua në Dubai disa ditë më parë.
Më rrezikohet jeta. Unë nuk akuzohem për vrasje, ata që janë brenda apo në kërkim janë për vrasje, ka pretenduar Durim Bami para autoriteteve të drejtësisë.
Një nga protagonistët më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, u arrestua për herë të dytë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Mësohet se ndalimi i Bamit u krye në fillim të javës së kaluar, pikërisht në datën 21 tetor 2024 dhe ky informacion u konfirmua nga burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha.
Dy ditë më parë u raportua se Durim Bami u ndalua nga policia e Dubait dhe “po mbahet nën arrest”. Më herët dështoi sjellja e tij në Shqipëri. Informacionet në lidhje me arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai u mbajtën tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, SPAK.
Kujtojmë këtu se herën e parë, ai u ndalua për llogari të SPAK-ut, në muajin qershor të këtij viti, pasi në maj, po 2024, prokurorët e posaçëm kishin lëshuar një mandat arresti për Durim Bamin, si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe për sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinajt, Erigers Mihasin e Hektor alias Tori Xheçuka.
Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohet nga gjykata e Dubait pavarësisht se ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme premtuan sjelljen e tij para drejtësisë. Tashmë, ai mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastet e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, dy njerëzve të grupit të Durrësit, të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit Arjan Ndoja.