Aktualitet

Me rreth 20 mijë euro të padeklaruara në Kakavijë, procedohet 38-vjeçari!

Një 38-vjeçar, i cili tentoi të dilte nga Shqipëria me rreth 20 mijë euro, pa i deklaruar në Pikën Kufitare të Kakavijës u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Po ashtu, iu sekuestrua shuma e parave në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit njoftoi sot se si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në Pikën Kufitare të Kakavijës, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit I.M., ku u gjetën 19 mijë e 150 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin I.M., 38 vjeç, lindur në Patos, Fier dhe banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.