Më 25 maj vendi ynë dhe konkretisht Tirana do presë finalen europiane të Conference League, kompeticionit që organizohet nga UEFA, dhe që pritet të sjellë një numër tepër të lartë tifozësh. Sipas parashikimeve në kryeqytet më 25 maj mund të jenë deri në 90 mijë sportdashës pavarësisht se stadiumi ‘Air Albania’ për këtë ndeshje ka një kapcitet prej 19 mijë tifozësh.
E teksa ky është një event jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetin tonë, Top Albania Radio ka gjetur një mënyrë për të qenë më afër jush gjatë këtyre ditëve. Duke nisur që nga dita e nesërme dhe deri në finalen e shumëpritur, emisionet e TAR, nuk do të vijnë përmes jush nga qendra kryesore në Air Albania, por do të vijnë pikërisht nga qendra e kryeqytetit.
Pikërisht ky është këndi i Top Albania Radio-s në sheshin Skënderbej, ku me rastin e finales europiane të Conference League emisionet e TAR do të vijnë tek ju drejtpërdrejt nga qendra e qytetit. Një kënd shumë special, me ngjyra të ndezura dhe logon e Top Albania Radio-s për të sjellë tek ju emisionet tuaja më të dashura.
Duke nisur nga “Wake Up” çdo mëngjes nga ora 07:00 deri në orën 10:00, për të vazhduar më tej me emisionet e pasdites nga ora 18:00 deri në orën 20:00, përkatësisht të hënën “Sot Nuk Është e Hënë“, ditën e martë “Ndryshe“, të mërkurën “Pardon My French“, të enjten “Çdo gjë është ashtu si duket” dhe të premten sportive me “Pasó“.