Aktualitet

Me pranga në Kuvend, Ilir Beqaj pritet të vijojë dëshminë te hetimori i Shëndetësisë!

Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga policia, sot Ilir Beqaj, u rikthye në Kryesinë e Kuvendit për të dëshmuar në komisionin hetimor të Shëndetësisë ku dje dështoi të dëshmonte pas refuzimit të kryetares demokrate, Albana Vokshi që të prezantonte materialet në Power Point dhe debateve të ashpra që pasuan. Beqaj është në arrest me burg për abuzime me fondet e BE-së përmes agjencisë SASPAC që drejtonte pasi nuk ishte më ministër i Shëndetësisë.

Në lidhje me koncensionin e Sterilizimit, po hetohet nën masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”.

Në mbledhjen e sotme, sërish PD-ja këmbëngul te thirrja si dëshmitar e kryeministrit Rama e po ashtu kërkon zgjatjen e afatit të këtij komisioni që mbyllet nesër. Edmond Spaho:

Pa dëshminë e Edi Ramës nuk duhet të mbyllet komisioni! Maxhoranca nuk ka pse të jetë kokëfortë. Nuk janë paratë e mia, por të qytetarëve. Jemi në parlament për të administruar paratë e qytetarëve. Vjedhje e turpshme dhe duhet mbajtur përgjegjësi!

Nënkryetari socialist i Komisionit Hetimorit për Check Up-in e Sterilizimin, Plarent Ndreca u shpreh se opozita ka ardhur kot në komision, se sipas tij, ka synim vetëm të çojë përpara axhendën e saj politike.

Ju e keni tërësisht të paragjykuar këtë komision. Nuk keni ardhur për të hetuar por për axhendën tuaj politike. Në këtë pikë ku nuk kemi dalë në raport, 7 në 10 fjalë thoni “hajdutëri”. Nëse paska konkluzion, ju paskeni ardhur kot. Përderisa ka folur gjykata. Pse e ngritëm? E ngritëm për të çuar para një axhendë politike të paracaktuar. E kam thënë që nga dita e parë, nuk jemi këtu për të mbrojtur askënd dhe asgjë.

Akuza politike dhe baza partiake nuk kanë vend në parlament. Kemi harxhuar ditë, orë, si dhe minuta për të ndërtuar procesin. Konkluzionet i bën secili. Tentativa juaj për të bërë me turp deputetë është një intimidim. Vetëm për të mos e parë me sytë e tyre por me sytë tuaj. Këto janë diskurse partiake, ne nuk kemi bërë asnjë diskurs partiak.