Rajoni

Me postë e TikTok, paratë false vërshojnë tregun në Kosovë!

Në vitin 2021, në Kosovë u konfiskua një shumë prej 375 mijë eurosh false, të gjitha kartëmonedha të prerjeve 50 e 100 euro.  Kohë më parë u arrestua dhe një grup kamerierësh, të cilët u kapën duke shpërndarë para’ false te klientët në rajonin e Prizrenit.

Nga vijnë paratë false?

Në dy raste të konfiskimit të mijëra eurove false nga Policia e Kosovës, origjina e tyre ishte Maqedonia e Veriut dhe Turqia. Në grupe të ndryshme në rrjete sociale, po ashtu, pretendohet se në shumë raste paratë false vijnë nga jashtë Kosovës.

Në aplikacionin TikTok ka një numër profilesh që reklamojnë paratë false. Poshtë këtyre njoftimeve ka qindra komente të personave me emër e mbiemër, që kërkojnë të blejnë vlera të ndryshme të parave false. Në periudha të ndryshme këtë vit, Radio Evropa e Lirë bisedoi me dy profile që kanë qenë ndër më të ndjekurat: “Blejpareks” dhe “Parefallsks”.

Që të dy personat që pretendojnë se i menaxhojnë këto faqe, thonë se mund të sjellin para’ false në çdo shumë që kërkohet, por nuk tregojnë se nga ku. Për t’u dukur si blerës potencial, REL-i komunikoi me ta, duke përdorur një gjuhë jostandarde.

I pyetur nëse ka para’ false në shitje dhe se kur mund t’i sjellë ato, “Blejpareks” u përgjigj:

Mundem me t’i sjellë në Kosovë nesër. Vijnë me postë. Postës ja jep paratë.

Profili tjetër në TikTok, “Parefallsks”, pasi pyetet nëse mund t’i dërgojë 300 euro me urgjencë, siguron që po, por thotë se shuma minimale e parave false që mund të dërgohet është 500 euro.

“Parefallsks”: Po vëlla, por me 50 euro i merr 500 euro [false] vëlla. Shuma më e vogël te ne është kjo.

Personi që pretendon se mban këtë profil, kërkon që pagesa të bëhet përmes institucioneve mikrofinanciare. Ai nuk e pranon mundësinë e pagesës përmes postës, edhe pse porosinë thotë se e dërgon me postë.

“Parefallsks”: Jo, jo vëlla. Me postë i dërgoj paratë, por nuk pranoj pagesa përmes postës, sepse është rrezik vëlla.

Për të mos kryer vepër penale, REL-i nuk porositi paratë false nga këto dy profile, për të konfirmuar nëse ato dërgohen vërtet ose jo. Por, në bazë të komenteve në profilet në TikTok duket se shumë qytetarë mashtrohen.

Rrena janë këto. Vetëm sa me t’i marrë paratë dhe pastaj ta bëjnë bllok në të gjitha anët. Mbushuni mend, popull shqiptar, thotë një koment.

Një qytetar bën thirrje për të mos rënë pre e mashtrimit.

Unë kisha bë porosi, nëse është e vërtetë, por pagesën në dorë kur të vjen posta, jo rrena.

REL-i e pyeti Policinë e Kosovës në lidhje me hetimin e këtyre faqeve dhe personave që pretendojnë se i menaxhojnë, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që prodhon para’ të falsifikuara për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim nga një deri në dhjetë vjet.  Kushdo që duke e ditur se paraja është e falsifikuar, e merr dhe e vë në qarkullim, dënohet me burg nga 1 deri në 8 vjet.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), thotë se paratë false, përveçse dëmtojnë ekonominë e Kosovës, u shkaktojnë humbje edhe qytetarëve.

Paratë që dyshohet se janë false, tërhiqen nga qarkullimi dhe i dorëzohen Policisë së Kosovës, e cila i dërgon për analizë tek Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

REL-i pyeti Agjencinë e Kosovës për Forenzikë se sa është vlera e përgjithshme e parave që janë dërguar në këtë institucion për analizë dhe cilat janë kartëmonedhat më të falsifikuara, por nuk mori përgjigje. Në një deklarim të mëparshëm, ky institucion shprehej se kartëmonedhat më të falsifikuara janë: 510 e 100, si dhe monedhat 1 e 2 euro.

Në fund të vitit të kaluar, ndërmarrja publike e parkimit të makinave, Prishtina Parking, vendosi të mos pranonte monedha prej 2 eurosh, pasi çdo ditë merrte mesatarisht 100 euro false, që të gjitha monedha 2 euro.

Institucionet financiare europiane ndajnë disa këshilla si mund të identifikohen paratë false.

Një prej metodave është prekja e monedhës, pasi monedhat false, zakonisht janë më të ashpra. Po ashtu, mund të identifikohen devijime, shkronja e simbole në mospërputhje me origjinalin.

Nëse keni dyshime për paratë që merrni, rekomandohet që me mirësi të kërkoni një monedhë tjetër. Sugjerohet që personit në fjalë t’i shpjegohet po me mirësi se mund të ketë në zotërim një monedhë false, që bie ndesh me ligjin. Gjithashtu sugjerohet të njoftohet policia për rastin./Radio Evropa e Lirë