Aktualitet Bota

Me origjinë shqiptare terroristi që planifikoi sulmin në koncertin e Taylor Swift-it!

Eshtë me origjinë shqiptare i arrestuari në Austri si i dyshuar në planifikimin e një sulmi terrorist në koncertet e artistes së njohur amerikane, Taylor Swift në Vjenë, të planifikuara për sot, nesër e të shtunën, por që u anuluan.

Sipas mediave, familja e tij i ka rrënjët në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut. Të gjithë pjesëtarët kanë nënshtetësi austriake e nga Vjena janë shpërngulur në qytetin Ternitz, ku u bë arrestimi i 19-vjeçarit. Nuk përjashtohet që i riu të jetë ndikuar nga ekstremistët kur siç treguan fqinjët, “papritur një ditë u shfaq me mjekër si talebanët”. Më tej shtuan se kanë parë një grua me burka në banesën e 19-vjeçarit, i cili punonte në një laborator e dyshohet se grabiste kimikate që mund të përdoreshin për të përgatitur eksplozivë.

Për goditjen e ideuar, zyrtarët austriakë u informuan nga një shërbim sekret i huaj. U arrestuan dhe dy 17-vjeçarë, si të dyshuar për të njëjtin sulm të planifikuar. Media austriake “Kurier” raporton se për të njëjtin rast janë në kërkim dhe dy persona të tjerë ndaj u vendos të anulohen të gjitha koncertet e Swift-it në Austri.

Raportohet se shërbimi sekret i një vendi tjetër, por që nuk bëhet i ditur gjeti videon e njërit prej të dyshuarve ku ai deklaronte besnikëri ndaj Shtetit Islamik, si ato që zakonisht i paraprijnë një sulmi terrorist si provë për marrjen e përgjegjësisë nga ISIS-i.