Një eksperte gjeologjie deklaron se ka identifikuar panoramën e shikuar në sfondin e një prej pikturave më të famshme në botë, atë në pikturën e Mona Lisa, që mund të zgjidhë kështu një nga misteret më të vjetra të artit klasik.
Piktura e famshme Leonardo da Vinci është quajtur Mona Lisa apo Xhokonda, dhe besohet se është e fisnikes italiane Lisa del Giocondo, por si identiteti saktë i subjektit ashtu dhe vendndodhja e sfondit të saj mbeten një mister që kërkon zgjidhje.
Gjeologia dhe historiania Ann Pizzorusso beson se da Vinci ka pikturuar Mona Lisa në Lecco, pranë liqenit të Como, në Lombardi.
Duke kombinuar të dyja fushat e ekspertizës së saj, Pizzorusso thotë se ka identifikuar urën në sfondin e largët të pikturës, duke bërë lidhjen me urën e shekullit të 14 në Lecco, ‘Azzone Visconti’.
Më herët një historian që pretendonte identifikimin e urës thoshte se ishte ajo e Laterina, një qytezë e vogël pak më në jug në Toskana, ndërsa historianë të tjerë kanë spekuluar se është ura e famshme Ponte Buriano në Arezzo, Toskana, apo ajo e qytezës së Bobbio.
Por Pizzorusso shpjegon se ura të tilla me harqe ishin të kudondodhura në Itali dhe Evropë, shumë prej të cilave ngjajnë identike me njëra-tjetrën prandaj duhet krahasuar aspekte te tjera.
Ajo tha për rrjetin The Observer: “Është e pamundur të identifikosh vendndodhjen vetëm nga një urë, të gjithë flasin vetëm për urën por nuk shikojnë aspekte të tjera siç është për shembull gjeologjia e vendit.”
Gjeologia thotë se ka identifikuar gjithashtu vargmalin që duket në sfond të Mona Lisa, që shikon nga Lecco e liqeni i Como.
Ajo shton se malet në Lecco janë gëlqerorë dhe se Da Vinci i pasqyron ato në gri të butë, në ngjyrën që i afrohet më shumë këtij formacioni shkëmbor.
Pizzorusso shton më tej se as Bobbio e as Arezzo nuk kanë liqen, siç duket se është në rastin e Mona Lisa.
“Unë kam zbuluar vendet gjeologjike për të cilat ai flet në shënimet e tij; një burim, një vijë ujore, gjëra që ekzistojnë edhe sot.
Vetë Leonardo ishte një inxhinier që kërkonte të ndërtonte një ujësjellës nga Milano drejt Como, por hasi vështirësi gjatë punës,’ tha Pizzorusso teksa dihet që Da Vinci ka vizituar shpesh Lombardinë.
Por shumë historianë besojnë se Mona Lisa është e gjitha e imagjinuar, dhe jo përshkrimi një vendi apo personi të vërtetë.
Ndaj kësaj Pizzorusso përgjigjej: ‘Historianët mund të thonë se Leonardo ka përdorur imagjinatën, por nëse ia jep këtë pikturë një gjeologu ata do t’ju thonë atë që po them dhe unë për Lecco. Ngjashmëritë janë të shumta”.–Metro.co.uk–