Së fundmi libraritë në të gjithë Londrën janë hapur për të përmbushur kërkesat e shumta për librin me kujtime të Princit Harry, i cili sot ka dalë zyrtarisht në shitje. Shumë fansa po qendrojnë në radhë për të blerë një kopje të librit të shumëpërfolur. Librashitësit hapën degën e tyre kryesore Piçadilly në pritje të kërkesës së lartë të klientëve, pasi libri u botua në mbarë botën në 16 gjuhë.
Prej disa ditësh, në media po përflitet për librin dhe ka një kuriozitet të madh, pasi Harry ka zbuluar aty gjithçka, nga mënyra se si humbi virgjërinë e tij deri tek pretendimet se u sulmua nga vëllai i tij, Princi William. Kujtimet prej 410 faqesh, që zbulojnë konfliktin dhe tensionet personale brenda pallateve mbretërore, tregojnë versionin e Princit Harry të rritur dhe përplasjet e tij me familjen mbretërore. Deri më tani Buckingham Palace dhe Kensington Palace nuk janë përgjigjur.
Por pretendimet në libër përfshijnë se Princi Harry iu lut babait të tij të mos martohej përsëri, se ai vrau 25 luftëtarë talebanë ndërsa shërbente në Afganistan, se ai mori droga psikodelike, pjesërisht si përgjigje ndaj sulmeve të panikut dhe se Meghan dhe Catherine kishin një vështirësi të madhe marrëdhënie. Harry foli në një intervistë të fundit dhe akuzoi anëtarët e familjes mbretërore dhe me shumë mundësi kjo autobiografi e tij do të nxisë tensione të mëdha në rrethin e tyre.
Ai pretendoi se njerka e tij Camilla, bashkëshortja e mbretit Charles, kishte publikuar biseda private në media dhe tha se familja e tij ishte bashkëpunëtore në dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëshortes së tij Meghan Markle. Gjithashtu ai përsëriti pretendimin e tij se kishte shqetësim në familjen mbretërore për ngjyrën e lëkurës së fëmijëve të tij pasi u martua me aktoren amerikane dhe tha se monarkia britanike duhet të trajtojë qëndrimet e saj ndaj racave.