Aktorja e njohur Angelina Jolie ka folur në një intervistë të fundit për “The Hollywood Reporter” dhe ka zbuluar se në fakt nuk ka shumë miq të ngushtë në jetën e saj.
Kjo nuk më shqetëson aspak, sepse unë nuk kam realisht marrëdhënie të tilla në jetën time. Pra, një person që mund ta telefonojë në orët e para të mëngjesit për një shqetësim apo për të ndarë një lajm të bukur, nuk e kam një të tillë në jetën time. Shpesh mendoj se miku/mikesha mund të jenë duke kaluar një moment të keq në jetën e tyre, mund të jenë duke humbur prindërit…Ka shumë situata që më bëjnë të tërhiqem. Por, kjo ndodh edhe se dikush më ka tradhtuar. Po, më kanë tradhtuar në miqësi.
Për Jolie, aktivistja për të drejtat e njeriut Loung Ung është një nga mikeshat e saj të ngushta, si edhe e ëma e ndjerë Marcheline Bertrand, e cila vdiq në vitin 2007 në moshën 56-vjeçare pasi u diagnostikua me kancer në vezore dhe në gji. “Nëna ime ishte shumë pranë meje në shumë gjëra, por fatkeqësisht e humba atë. Në momentet më të vështira për mua dhe familjen time nuk i kam pasur pranë miqtë apo njerëzit të cilëve u besoj,”-shton ajo.
Në një tjetër intervistë gjatë vitit të kaluar me revistën “WSJ Magazine”, Angelina zbuloi se pikërisht gjashtë fëmijët që ajo ka me ish-bashkëshortin Brad Pitt janë miqtë e saj më të mirë. “Ata janë njerëzit më të afërt në jetën time dhe janë miqtë e mi të ngushtë. Ne jemi shtatë njerëz shumë të ndryshëm, por kjo në fakt është forca jonë.”-tha Jolie.
Ndërkaq, rikujtojmë se filmi “Maria” për këngëtaren e ndjerë të operës, Maria Callas, u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia. Filmi u drejtua nga Pablo Larrain, ndërsa roli kryesor iu dha Angelina Jolie. Pas premierës, filmi mori një ovacion prej 8-minutash, gjë që e emocionoi yllin e famshëm. Sipas regjisorit, Maria është një portretizim imagjinativ dhe psikologjik i Maria Callas, një nga këngëtaret më të mëdha të operës së të gjitha kohërave, gjatë ditëve të saj të fundit në Paris në vitet 1970.