Qyteti i gurtë i Gjirokastrës gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj. Qendra muzeale e tij është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Në rrjetet sociale, sot kryeministri Edi Rama ndau pamje nga mbrëmja në qytetin e gurtë, ku shihen dritat që ndriçojnë kalanë e zbresin nëpër kalldrëmet e pazarit.
Ku dëgjohet italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht e spanjisht, ku takon shqiptarë të Kosovës, por edhe shtetas aziatikë, e ku pas çdo kthese të pjerrët shfaqet një tjetër pamje që të lë pa frymë, me jehonën e isos së këngëve të odasë së madhe, kështu mbyllet një ditë në Gjirokastër.
Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve të shumtë në numër.
Ndër destinacionet më të preferuara për turistët janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat tipike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në vende të tilla si Parku Arkeologjik i Antigonesë ose dhe objektet e kultit.
Gjatë këtij viti, Bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike për promovimin e vlerave të folkut, traditës, e jo vetëm. Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vendin tonë. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase e të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.