Së fundmi, këngëtarja e njohur Britney Spears ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 15 milionë dollarë për të drejtat e publikimit të librit të saj autobiografik. Burime pranë botuesve thonë se Spears, ka arritur një marrëveshje historike me shtëpinë botuese “Simon & Schuster” për librin e saj rreth karrierës, jetës së vështirë dhe marrëdhënieve toksike me familjen e saj problematike.
Marrëveshja vjen pas shumë ofertash nga botues të ndryshëm për librin e saj. Sipas një burimi të brendshëm kjo është një nga marrëveshjet më të mëdha të të gjitha kohërave, pas Obama-ve. Të drejtat për librat e Barack dhe Michelle Obama-s u shitën në vitin 2017, me shumën që thuhet se i kalonte 60 milionë dollarë, shifra kjo më e madhe e njohur ndonjëherë për botimet. Më parë, edhe ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton kishte arritur një marrëveshje prej 15 milionë dollarësh për librin e tij post-presidencial “My Life” në vitin 2001.
Ndërkaq, Britney Spears nuk ka hequr ende dorë nga gjyqet e kujdestarisë. Pasi shpëtoi veten prej kujdestarisë së ashpër të babait të saj, tani ajo ka vendosur që të ndihmojë edhe njerëz të tjerë që gjenden në të njëjtën situatë si ajo. Sipas një deklarate të dhënë së fundmi për “Hollywood Life” nga një burim i brendshëm pranë saj, këngëtarja nuk dëshiron që askush tjetër të kalojë atë që ka kaluar ajo dhe është në bisedime me ekipin e saj se si mund të ndihmojë të tjerët. Burimi u shpreh se:
Njerëzit përreth saj i kanë sugjeruar që të krijojë një lloj organizate bamirëse, për ta bërë këtë. Të gjithë e dinë se, me atë që ka kaluar, ajo ka fuqinë për të sjellë ndryshim në botë. Ajo e di se koha për të sjellë këtë ndryshim është tani dhe ajo është gati.
Këngëtarja e hitit “Stronger” së fundmi ndau në Instagram një letër që mori nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, e cila ishte nënshkruar nga kongresmenët Charlie Crist dhe Eric Swalwell dhe përfshinte një ftesë për t’u takuar. Letra, e datës 1 dhjetor 2021, filloi duke uruar Britney dhe avokatin e saj Mathew Rosengart për “fitoret historike” të tyre të fundit.