Bota

Me erëra vdekjeprurëse, uragani Milton godet Floridan!

Uragani Milton zbarkoi në Florida, fillimisht si stuhi e kategorisë së tretë, duke goditur ashpër brigjet e këtij shteti amerikan që ende nuk e ka marrë veten nga pasojat e uraganit Helene e që la mbi 230 viktima. Edhe sot u raportua për të vdekur në qarkun Saint Lucie, në brigjet lindore të Floridas, ndonëse numri i viktimave ende nuk po bëhet i ditur.

Erërat e Miltonit patën arritur shpejtësinë deri 160 kilometra në orë dhe zona e Tampas u godit direkt. Më pas, stuhia përfshiu pjesën jugore në afërsi të Sarasotas, në jug të Tampas ku situata paraqitet emergjente për shkak të niveleve të rritura të ujit.

Më shumë se 3 milion shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike në Florida. Rreth 125 banesa u shkatërruan para se uragani të zbarkonte, shumica prej tyre shtëpi të zhvendosshme për të moshuarit, siç bëri të ditur Kevin Guthrie, drejtor i Departamentit për Menaxhim të Emergjencave në Florida. Çati të fabrikave u shkatërruan dhe shumë vinça u përplasën në tokë.

Pas 90 minutave të zbarkimit, uraganit i ra fuqia në kategorinë e dytë dhe më pas në të parën. Diçka e tillë nënkupton që fuqia e erërave ka rënë në rreth 65 kilometra. Më vonë, gjatë ditës së sotme, ky uragan pritet të godasë edhe rajonin e Orlandos, po në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se Milton do të jetë “ndër uraganet më shkatërrues të shekullit”.