Britanikët godasin rrjetin e trafikimit të qenieve njerëzore që emigrantët i çonte përmes Republikës së Irlandës drejt Irlandës së Veriut, e cila është pjesë e Britanisë se Madhe. Gjithçka u finalizua pas një operacioni tre-ditor i kryer nga një grup agjencish ligjzbatuese dhe me partnerë ndërkombëtarë.
U arrestuan 31 trafikantë që lehtësonin kalimin drejt Britanisë së emigrantëve me dokumente false, përmes porteve dhe aeroporteve të Irlandës e që kanë zonë të përbashkët udhëtimi pa viza me Britaninë, edhe pse jo pjesë e zonës Shengen, por emigrantët mund të hyjnë në Irlandë si vend i BE-së. Këtë e kanë bërë me dokumente false.
Rreth 400 mijë stërlina u sekuestruan e 10 dokumenta fallco u kapën gjatë operacioneve në pikat e kalimeve kufitare dhe rrugët lidhëse në qytete si Belfasti, Liverpuli, Luton e adresa ne Skoci.
Ka qenë gazeta “The Telegraph” e Londrës që një vit më parë zbuloi kontrollet e buta kufitare mes Irlandës dhe Britanisë, edhe pse ky ishte një sekret publik, por që shfrytëzohej nga shqiptarët për të emigruar drejt Britanisë me taksi kundrejt 2,500 stërlinave, më pak se kostoja e kalimeve me gomone.
Kjo shumë jepej përveç 300 apo 400 stërlinave të tjera për një dokument fals të blerë në Shqipëri. Mendohej udhëtimet kryheshin çdo ditë. Hetimi zbuloi se shqiptarët bashkëpunonin me grupet kriminale irlandeze për të organizuar fluturimet drejt Dublinit me dokumente false europiane dhe më pas me taksistë irlandezë që i çonin drejt Britanisë me tragetet që lidhnin Irlandën ose Irlandën e Veriut me portet britanike.
Ndërkohë ka shkuar në mbi 24 mijë vetë, numri i të ardhurve këtë vit me gomone përmes La Manshit, ku 707 emigrantë kaluan vetëm ditën e shtunë, mes tyre edhe shqiptarë.
Të ardhurve me gomone sipas ligjit të para dy vjetëve nuk u lejohet kërkimi i azilit, ndërkohë të ardhurit me maune apo në forma të ntjera, nuk preken nga ky rregull ndaj dhe ka shtim të mbërritjeve përmes rrugëve të tilla të kalimeve të paligjshme. Ministrja britanike e Azilit dhe Sigurisë se Kufijve, Dame Angela Eagle, thotë se ky operacion ka qenë një sukses i madh dhe dërgon një sinjal të qartë se grupet e trafikantëve që shkelin ligjin do të përballen me pasoja serioze.