Aktualitet Politikë

Me dokumente false drejt SHBA-së dhe Kanadasë, GJKKO lë në fuqi masat për organizatorin dhe të dyshuarit e tjerë!

GjKKO la në fuqi masën “Arrest në burg”, për organizatorin veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve shqiptarë, për kalim të paligjshëm nga PKK Hani i Hotit, me destinacion Kanadanë dhe Amerikën, si dhe masën “Arrest në shtëpi”, për 2 shtetas e tjerë të përfshirë dhe për 2 punonjës të PKK Hani i Hotit që akuzohen për shpërdorim të detyrave.

Konkretisht, në arrest me burg mbetet 56-vjeçari Luc Melaj, 56 vjeç, ndaj të cilit rëndojnë veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë, në arrest shtëpie mbeten 24-vjeçari Emanuel Melaj, 49-vjeçari Gëzim Camaj, si dhe Tonin Melaj e Bashkim Cokaj, që mbanin detyrat e ndihmësspecialistit, kontrollor i vijës së dytë në PKK Hani i Hotit dhe përgjegjës turni në PKK Hani i Hotit.

Pas hetimeve rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet dokumenteve false dhe mosregjistrimit në sistemin TIMS, kanë kaluar në PKK Hani i Hotit, shtetas shqiptarë që kishin destinacione Kanadanë dhe Amerikën.