Aktualitet

Me dokumentacion të rremë në procedura tenderi, Prokuroria e Tiranës kërkon arrestimin e një shtetasi!

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrestimin e shtetasit E.M, për falsifikim dhe dëme në mjedis, pasi ky i fundit mori përsipër të trajtojë mbetjet spitalore me dokumente false dhe pa pajisje. Prokuroria gjithashtu ka kërkuar masa edhe për inspektorët publikë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për shtetasin E.M. për veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve’. Në funksion të hetimeve paraprake nga ana e prokurorisënë bashkëpunim të ngushtë me sektorin Kundër Krimit Ekonomik pranë DVP Tiranë, janë kryer hetime intensive, si marrja në pyetje e personave, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve, dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, se kemi të bëjmë me konsumim të elementeve të disa veprave penale, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria thekson se, rezulton e provuar se personi nën hetim E.M, ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016 e në vijim, duke dorëzuar dokumentacion të rremë.

Personi në hetim, pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore duke i kthyer ato nga të dëmshme në të padëmshme por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë.

Deri në këtë fazë të hetimeve, rezultoi e provuar se shtetasi E.M., në bashkëpunimin me shtetasin E.Sh, kanë përpiluar akte të rreme prej vitit 2015 e në vijim, duke pasqyruar në kërkesat e tyre drejtuar AKM-së, nëpërmjet QKB-së, si dhe raporteve të vetmonitorimit peridike, në funksion të Lejes së Tipit B, një pajisje të tipit Econos Tsc 150, e cila në fakt është instaluar pas muajit Janar të vitit 2024.

Personi juridik, është inspektuar nga punonjësit shtetëror I.B, dhe K.A, por është mbuluar nga këta të fundit për mungesën e pajisjes Econos Tsc 150. Po kështu,edhe inspektorët shtetërorë J.Sh, E.P, A.M, N.D, A.K, B.L, kanë mbuluar veprimtarinë reale të personit juridik, duke mos raportuar pika shkarkimi në ajër dhe tokë të pajisjes Mangazini, të identifikuar nga Ing G.T, në historik, si dhe duke mos raportuar se në vend të ushtrimit të aktivitetit, gjendet i instaluar vetëm një incenerator.

Rezulton e provuar se pajisa Econos TSC 150, e këqyrur nga oficerët e policisë gjyqësore, është importuar, në datën 22.01.2024, nga personi juridik ndryshe nga saka deklaruar personin nën hetim E.M, se pajisjen Econs TSC 150 e ka importuar dhe instaluar në vitin 2016.

Në këto kushte ngrihen dyshime se me mungesën e pajisjes Econos Tsc 150, dhe mungesën e një prej inceneratorëve, personi juridik, të mos ketë pasur aftësi të përmbushë objektin e kontratave të lidhura me palë të treta për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Prokuroria bën të ditur se, hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të enteve publike si dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm, ekspertimeve kontabël, në raport me pasojat që mund të kenë ardhur mbi ndikimin në mjedis, ndër vite.