Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka goditur një grup të strukturuar kriminal në fushën e kalimit të paligjshëm të kufirit. Sipas SPAK-ut, përbëhej nga 5 anëtarë, 1 i arrestuar dhe 4 në masën e sigurisë “Arrest në Shtëpi”. Në bashkëpunim mes tyre, ndihmonin shtetas shqiptarë që donin të udhëtonin drejt SHBA-ve për t’u pajisur me dokumente të falsifikuara.
Itinerari ishte kalimi i kufirit nga Hani i Hotit, për të vijuar në Itali, Spanjë, Meksikë e në fund në SHBA. Sipas hetimeve, kjo veprimtari kryhej për jo më shumë se 15-20 ditë dhe çdo person paguante nga 20 mijë në 45 mijë dollarë.
Të dyshuarit do të përgjigjen për veprat penale të: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave”, kryer në formën e bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale e grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet e këtij procedimi penal janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, Agjencinë Federale, Shërbimi i Sigurisë Diplomatike, Zyrën e Hetimeve Kriminale jashtë SHBA-ve me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Njësia Speciale “Mburoja e Përbashkët” si dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Nga të dhënat e hetimeve të deritanishme ka rezultuar e provuar ekzistenca e një grupi kriminal, i cili ka organizuar dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit për disa shtetas shqiptarë, përmes dokumentacionit të falsifikuar, me destinacion përfundimtar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo veprimtari kriminale dyshohet të jetë e mirë organizuar edhe në nivel transnacional, pasi kalimi i paligjshëm drejt SHBA-së rezulton të jetë kryer përmes shteteve Shqipëri-Itali- Spanjë-Meksikë-SHBA.
Modus operandi i ndjekur nga personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale konsiston fillimisht në krijimin e kontaktit mes personave të interesuar për të ikur drejt SHBA-ve dhe personit nën hetim L.M., i cili me qëllim kalimin e paligjshëm në kufi, kryente, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, veprimet si: prodhimi në kohë të shpejtë i dokumenteve të identifikimit të falsifikuar, prerja e biletave të udhëtimit, pajisja me aparate celularë të rinj dhe numra telefoni sipas shteteve ku kryhet udhëtimi etj. Shtetasit e interesuar për të ikur drejt SHBA-ve kalonin kufirin shqiptar me pasaportën e tyre shqiptare dhe në aeroportet e Spanjës nga ku kryhej tranziti drejt Meksikës dhe me tej SHBA-ve, priteshin nga shtetas të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, të cilët i pajisin me dokumentin e identifikimit të falsifikuar. E gjitha kjo veprimtari kryhej për jo më shumë se 15-20 ditë dhe çdo person paguante një shumë nga 20 000 (njëzet mijë) USD deri në 45 000 (dyzetë e pesë mijë) USD.
Gjithashtu, në kuadër të veprimeve dhe verifikimeve të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, është konstatuar një aktivitet tjetër i paligjshëm i kryer në Pikat e Kalimit Kufitar të Republikës së Shqipërisë me Malin e Zi, nga ana e punonjësve të policisë kufitare të PKK-ve Shqipëri-Mali i Zi. Ky aktivitet i paligjshëm konsistonte në mos-regjistrimin në sistemet e PKK-ve të shtetasve shqiptarë, të cilët për shkaqe si: tejkalimi i afatit të qëndrimit në shtetet e BE-së; ndalimi i hyrjes në shtete të ndryshme për shkak të penaliteteve; ose në rastet kur shtetasit janë azilkërkues në vende të ndryshme etj, kërkonin të shmangin në mënyrë të paligjshme regjistrimin e kalimit në kufi.
Pas kryerjes së veprimeve të nevojshme hetimore, analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit Prokuroria e Posaçme paraqiti para Gjykatës së Posaçme kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj personave të dyshuar në kryerjen e veprave penale të përshkruara më sipër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin e saj nr. 81, datë 21.07.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodi i Procedurës Penale për personin nën hetim L.M. dhe masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për personat nën hetim T.M, B.Ç, E.M dhe G.C.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i të gjitha masave të sigurimit personal dhe janë ushtruar kontrolle, ku janë sekuestruar sende të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, si: shuma prej afro 8 000 Euro, 600,000 lekë, 3 000 USD, 240 dollarë kanadez, 17 aparate celulare, 3 automjete, usb, dokumente bankare dhe dokumente udhëtimi me interes për hetimin.