Reuters
Një komitet i Kongresit Amerikan që po heton dhunën e 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit, po përpiqet të bëjë përgjegjës Donald Trumpin “për sjellje të paligjshme”. Dyshohet se Trump bëri përpjekje që të përmbyste humbjen në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020. Por, çfarë akuzash mund të ngrejnë prokurorët kundër tij dhe si mund të mbrohet?
Pengimi i një procedure zyrtare
Në një dosje të dorëzuar në gjykatë më 2 mars, komiteti përshkruan në detaje përpjekjet e Trumpit për të bindur zv.presidentin e atëhershëm, Mike Pence, që të refuzonte listën e zgjedhësve të rivalit fitues Joe Biden ose të shtynte numërimin e atyre votave në Kongres.
“Përpjekjet e presidentit mund të shkelin një ligj federal, që e bën të paligjshëm pengimin e çdo procedure zyrtare ose tentativën për ta bërë”, – thotë David Carter, gjykatës federal i Kalifornisë, i cili mbikëqyr rastin.
Cassidy Hutchinson, ndihmëse e shefit të atëhershëm të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, deklaroi se “Trump i shpërfilli shqetësimet se disa mbështetës të mbledhur për fjalimin e tij jashtë Shtëpisë së Bardhë, më 6 janar, kishin pushkë të llojit AR-15”.
Trump kërkoi të dërgohej në Kongres, për t’iu bashkuar mbështetësve, që më pas hynë dhunshëm, si dhe se ka bërë përpjekje të kapte timonin kur sigurimi i tij insistoi ta kthente në Shtëpinë e Bardhë. Këtë e mësova nga Tony Ornato, zyrtar i lartë i Shërbimit Sekret, i cili ka qenë zëvendësshef i shtabit për operacionet në administratën Trump.
Ilya Somin, profesor i së drejtës në Universitetin “George Mason”, thotë se dëshmia “mund t’i rrisë shanset për të paditur e dënuar Trumpin”. Por, Trump e ka hedhur poshtë dëshminë e Hutchinsonit, ndërsa rrëfimin e saj për rrëmbimin e timonit e quajti “të rremë” dhe “mashtrues”. Po ashtu, akuzon komitetin për “hetime të rreme”.
Duke cituar burime pranë Shërbimit Sekret, New York Times dhe NBC theksojnë se “kreu i sigurimit të Trumpit, Robert Engel dhe shoferi i limuzinës, janë të gatshëm të dëshmojnë se Trump, nuk ka bërë përpjekje për të marrë timonin”.
Konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara
Në dosjen e 2 marsit, komiteti shprehet se “ka të ngjarë që Trump dhe të tjerë të kenë bërë komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara. Kjo është një përpjekje e ndëshkueshme nga dy ose më shumë persona për të ndërhyrë në funksionet qeveritare me mashtrim ose mjeshtëri”. Përveç përpjekjeve të ish-presidentit për t’i bërë presion zëvendësit të tij të atëhershëm, Pence, komiteti përmend edhe përpjekjet e tij, për t’i bindur zyrtarët e zgjedhjeve, publikun dhe anëtarët e Kongresit, se zgjedhjet e vitit 2020 janë vjedhur, ndonëse disa nga aleatët i thanë se “nuk ka prova për mashtrim”.
Sipas dëshmisë së Hutchinsonit, “Trump u zemërua shumë nga një intervistë e prokurorit të atëhershëm, Bill Barr për AP-në e kur tha se “nuk ka prova për mashtrime në zgjedhje”, përplasi drekën e tij në mur e theu një enë porcelani”.
Komplot për kryengritje
Dhjetëra anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë “Proud Boys” e “Oath Keepers”, pjesëmarrës në trazirat e 6 janarit 2021, akuzohen nga prokurorët për komplot për kryengritje. Përpjekja për të përmbysur Qeverinë amerikane me forcë, nuk është e ligjshme. “Për ta provuar një akuzë të tillë kundër Trumpit, prokurorët duhet të tregojnë se ka bërë konspiracion me të tjerë për të përdorur forcën”, – shprehet Barbara McQuade, profesoreshë e së drejtës në Universitetin e Miçiganit dhe ish-prokurore federale.
Pengimi i drejtësisë
Në fund të dëshmisë së Hutchinsonit, përfaqësuesja republikane, Liz Cheney, paraqiti disa prova të mundshme të ndërhyrjes së dëshmitarëve e pengimit të drejtësisë. Cheney tregoi disa mesazhe në adresë të dëshmitarëve të paidentifikuar, që iu thonin se “një person do të përcjellë nga afër dëshmitë e tyre dhe se pret besnikëri”.
“Nëse komiteti siguron prova se njerëzit që i dërguan këto mesazhe, kanë pasur një “mirëkuptim të heshtur” me Trumpin, atëherë prokurorët mund t’i përdorin për të dëshmuar se pati komplot për të manipuluar dëshmitarët”, – thotë Daniel Medwed, profesor i së drejtës në Universitetin Northeastern në Boston.
Mbrojtja e Trumpit
Trump vazhdimisht mohon se ka bërë ndonjë gjë të paligjshme, në lidhje me ngjarjet e 6 janarit. Sipas ekspertëve, “nëse Departamenti i Drejtësisë ngre akuza, sfidë kryesore e prokurorëve do të jetë vërtetimi se Trump veproi me qëllime përshkallëzuese”. Trump mund të argumentojë se sinqerisht besonte se i fitoi zgjedhjet e se përpjekjet për të ushtruar presion mbi Pence-in dhe të tjerë zyrtarë të zgjedhjeve, nuk kishin për qëllim të pengonin Kongresin ose të mashtronin Shtetet e Bashkuara, por të mbronin integritetin e votimeve.
Dëshmia e Hutchinsonit mund ta bëjë më të vështirë situatën për Trumpin. Dëshmia ofron prova të fuqishme rrethanore se qëllimi i tij ka qenë t’i bëjë ato gjëra.
A do të thotë kjo se Trump do të akuzohet?
“Jo! As Carter, as komiteti nuk mund ta akuzojnë Trumpin për krime federale. Ky vendim duhet të merret nga Departamenti i Drejtësisë, i cili udhëhiqet nga prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland”. Departamenti po kryen hetimet e veta për ngjarjet e 6 janarit, por nuk ka dhënë sinjale nëse synon ta padisë Trumpin ose jo. Vendimi për ta paditur mund të ketë pasoja të mëdha politike në kohën kur Trump po synon kandidimin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Departamenti nuk i është përgjigjur kërkesës për komente.