Me ardhjen e pranverës dhe verës shumë prej jush gëzohen sepse dita natyrisht është me e gjatë dhe keni më shumë kohë për të kaluar me njerëzit e zemrës. Ndërkaq, psikologët kanë vënë re se me rritjen e temperaturave njerëzit bëhen më agresivë dhe më të dhunshëm.
Sipas tyre, temperaturat e nxehta janë një sfidë e madhe për trurin e njeriut. Teoritë e psikologëve për këtë reagim të njeriut ndaj temperaturave të nxehta janë të shumta. Njëra prej tyre bazohet tek fakti se temperaturat e larta dhe pamundësia për t’u freskuar rregullisht shkakton parehati dhe shumë stres.
Njeriu e ka në natyrë dëshirën për të pasur kontroll mbi veten, të tjerët, ambientin dhe situatat e ndryshme. Temperaturat nga ana tjetër janë diçka që njeriu nuk i rregullon dot sipas dëshirës. Si pasojë, numbja e kontrollit shkakton zemërim dhe ky i fundit shpërthen ndaj diçkaje ose dikujt tjetër.
Zemërimi, mund t’ju shtyjë të merrni vendime të nxituara, pasojat e të cilave më pas shkaktojnë më shumë zemërim. Faktorë të tjerë që kontribuojnë në përkeqësimin e humorit në stinët e ngrohta janë mungesa e gjumit si pasojë e vapës dhe dehidratimi. Ekspertët thonë se njerëzit nuk duhet të marrin asnjë vendim të rëndësishëm për jetën kur moti është i nxehtë, sepse gjasat janë të larta që do të pendohen më vonë.