Bota

Me 41 të shtëna me top, Mbretëria e Bashkuar nderon Princin Philip

Me 41 të shtëna të njëkohshme me top, në Angli, Skoci, Uells e Irlandën e Veriut, si dhe në territoret përtej detit, sot në mesditë me orën lokale, Mbretëria e Bashkuar i dha lamtumirën Princit Philip. Bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë ndërroi jetë dje në moshën 99-vjeçare, dy muaj para se të mbushte 100-vjeç. Të shtënat me top ishin homazh i Ministrisë Britanike të Mbrojtjes në nderim të roleve që Duka e Edinburgh-ut ka luajtur në forcat e armatosura mbretërore, edhe si pjesëtar në Luftën e Dytë Botërore.

Për shkak të kufizimeve nga pandemia koronavirus, ceremonia u zhvillua pa publik të pranishëm por u transmetua direkt në ekranet e stacioneve televizive. Të shtëna me top në nderim të Princit Philip pati nga kështjellat e Cardiff-it, Edinburgh-ut, Hillsborough-ut në Belfast, Kullës së Londrës, kazermës londineze Woolwich Barracks, si dhe nga Gjibraltari, bazat detare të Devonport-it e Portsmouth-it e nga disa anije luftarake si Diamond apo Montrose.

Në llogarinë në Twitter të familjes mbretërore britanike, citohet një pasazh i Mbretëreshës Elizabetë referuar bashkëshortit me të cilin qëndroi e martuar prej 74 vitesh. Eshtë fjala për një pjesë nga një fjalim i monarkes në vitin 1997.

Ka qenë forca ime dhe mbeti e tillë për gjithë këto vite. Unë, e gjithë familja e tij, ky vend e shumë vende të tjera i detyrohemi një borxh shumë më të madh nga sa ai mund të presë ose që ne mund të dimë.