Një artist mjaft i suksesshëm dhe që thyen vetëm rekorde, e kemi fjalën për Drake. Këngëtari i njohur gjithmonë ka arritur të numërojë miliona klikime dhe të fitojë shumë çmime për hitet që sjell në tregun muzikor botëror. Albumet e tij renditen gjithmonë në krye të klasifikimeve dhe sigurisht që dëgjohen në mbarë botën. Talenti i tij është thjesht i padiskutueshëm.
Gjithmonë artisti habit dhe befason ndjekësit dhe mbështetësit e tij me krijimet dhe idetë që ka jo vetëm për albumet por edhe për këngët. Para pak orësh ai ka publikuar videoklipin e këngës së tij të re. Surpriza është se ai shfaqet i veshur me një xhaketë të kuqe, që ka të qëndisur mbrapa shqiponjën e zezë dykrenare. Reperi kanadez me famë ndërkombëtare ka zgjedhur të vishet me flamurin kuq e zi në videoklipin e këngës “Polar Oposites”. Pasi përmendi Prishtinën në këngën e tij ai sot habiti me videoklipin e kësaj kënge.
Shqiptarët kudo në botë kanë nxituar të komentojnë në klipin e publikuar në kanalin e tij zyrtar në YouTube. “Krenarë që jemi shqiptarë”, “Dhurata më e bukur për Ditën e Pavarësisë” dhe “Respekt nga Shqipëria” ishin komentet më të shumta.
Ndërsa në një moment, reperi përmend edhe kryeqytetin e Kosovës duke thënë: “Ose është mesazhi yt që po e lexoj gabim, ose thjesht veprimet tuaja janë mashtruese. Nuk e di se si i bëjnë gjërat në Prishtinë, por e di që tensioni po rritet”, thuhet në vargjet e këngës. Me të njëjtën xhaketë si Drake shihen të veshur edhe personat e tjerë në klip.