Bota

Me 277 vota të Kolegjit Elektoral, Donald Trump është presidenti i 47-të i SHBA-ve!

Republikani Donald Trump do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Demokratja Kamala Harris pësoi disfatë dhe ende nuk ka reaguar.  Trump ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral, fitore e thellë kur i mjaftonin vetëm 270. Më herët, Donald Trump iu drejtua mbështetësve nga Florida dhe u zotua se do të punojë për ta “shëruar” Amerikën. Fitorja u konfirmua pasi ka triumfuar në katër shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Uiskonsin, Karolinën e Veriut e Xhorxhia.

Tregu Dax i aksioneve është rritur me 1.5% pasi Donald Trump u shpall president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Robert Halver, drejtues i analizave të tregjeve në Bankën Baader u shpreh:

Meqë Donald Trump njihet për ekonominë, mund të konsiderohet se vlera e aksioneve në botë do të rritet. Me një përjashtim: Kina sepse ai [Donald Trump] do të vendosë patjetër tarifa ndaj Kinës. Kjo do t’ua vështirësojë jetën kinezëve. Gjëja e mirë është se tregjet europiane të aksioneve do të mund të përfitojnë. Ne ende jemi të  mirëpozicionuar në sektorin industrial dhe jemi duke e ndihmuar Amerikën që të bëhet e madhe sërish në sektorin industrial.

Liderët politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor reaguan ndaj fitores nga republikani Donald Trump, në garën presidenciale në SHBA kundër demokrates Kamala Harris. Edhe pse fitorja e Trump-it ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, nuk ka më dyshime pasi ai ka siguruar 277 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.

E vështirë të thuhet nëse Pekini ka pasur ndonjë kandidat të preferuar në zgjedhjet amerikane por ideja e të përballurit me një tjetër administratë amerikane, me në krye presidentin e saposhpallur, Donald Trump, mund të jetë sfiduese për liderin kinez, Xi Jinping. Për Kinën, Trump është përfundimisht një “kartë e egër”.

Përgjatë mandatit të parë të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, dy vendet janë përfshirë në luftë tregtare, Trump ka vendosur tarifa në mallrat kineze në vlerë miliarda dollarë, si dhe ka nisur fushatë globale kundër gjigantit teknologjik kinez, Huawei.

Përgjatë fushatës zgjedhore, ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave prej 60% në të gjitha importet prej Kinës e ka folur hapur për dëshirën e nisjes së një tjetër lufte tregtare. Këto nuk përbëjnë lajm të mirë për Pekinin sidomos në periudhën afatshkurtër ndërsa përballet me ngadalësim të ekonomisë.

Ka shumë mundësi që ushtria amerikane të rrisë praninë në Indo-Paqësor e të krijojë “dhimbje koke” të re për Pekinin në Azi.