Pas aprovimit të propozimit francez nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi zyrtar angazhohet të vazhdojë në rrugën e integrimit europian. Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, shprehet:
Përshëndes konkluzionet e sotme të Parlamentit, të cilat pas një debati të gjerë tre ditor, i sugjeruan Qeverisë të miratojë një Draft Kornizë negociuese me qëllim fillimin e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Vendi ynë do të vazhdojë në rrugën e integrimit europian, me vizionin e të qenit një vend i reformave të mirëfillta europiane dhe një vend i denjë për të jetuar dhe punuar. Qytetarët ndajnë këtë vizion dhe duan të bëhen pjesë e familjes europiane dhe të kontribuojnë në themelimin e parimeve europiane, demokracisë, sundimit të ligjit e prosperitetit ekonomik.
Të martën, më 19 korrik mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për këtë qëllim, delegacioni shqiptar udhëton pas dy ditësh drejt Brukselit. Më herët gjatë ditës, kjo u bë e ditur nga kryeministri Rama, i cili përshëndeti miratimin e propozimit francez sot nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut dhe vuri në dukje se “iu dha fund pengmarrjes absurde të Shqipërisë”.
Në Bruksel, eurokomisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ishin të parët që përshëndetën rezultatin e votimit, pas tre ditësh debatesh të ashpra e përpjekjesh për konfrontim fizik mes deputetëve. Opozita ka organizuar edhe protesta të dhunshme për të ushtruar presion ndaj maxhorancës, me synimin për ta detyruar të tërhiqet, por pa sukses.
Subjektet opozitare me në krye VMRO-DPMNE/në janë plotësisht kundër dokumentit të Parisit zyrtar dhe akuzojnë qeverinë për tradhëti. Pika më e nxehtë e propozimit ka të bëjë me gjuhën maqedonase. Ndërkohë, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut e mbështetën propozimin francez që detyron palët të bëjnë lëshime. Fillimisht, ishte Parlamenti i Bullgarisë që votoi të njëjtin propozim duke hequr veton për Shkupin.