Rrjeti amerikan i ushqimit të shpejtë McDonald’s ka humbur të drejtën e përdorimit të emrit “Big Mac” për produktet e tij të pulave. Gjykata e Përgjithshme e BE-së me qendër në Luksemburg njoftoi së fundmi se e kishte ndaluar kompaninë të përdorte emrin popullor për burgerët e saj të pulave, sepse McDonald’s nuk kishte siguruar prova se kishte përdorur emrin për pesë vjet radhazi.
Vendimi është marrë pas një mosmarrëveshjeje shumëvjeçare me kompaninë irlandeze “Supermac”, e iniciuar në vitin 2017, në lidhje me përdorimin e emrit që McDonald’s mbronte në vitin 1996 për produktet e mishit, përfshirë pulën. Më parë, Zyra e Bashkimit Evropian për Pronësinë Intelektuale hodhi poshtë kërkesën e Supermac, duke deklaruar se McDonald’s ka të drejtë të përdorë emrin Big Mac për hamburgerët e tij, duke përfshirë ato të bëra me pulë, kështu që kompania irlandeze ngriti një padi.
Supermac është një kompani irlandeze, e cila filloi të operojë në 1978. Oferta e tyre përfshin produkte viçi dhe pule, duke përfshirë hamburgerë, sanduiçe dhe kroketa. Ky nuk është një vendim përfundimtar, sepse mund të apelohet në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, gjykata më e lartë evropiane. Ndërkaq, nëse ndjeni aromën e patateve të skuqura McDonald’s ndërsa ecni në rrugë në Amsterdam jeni pranë një billboardi aromatik.
McDonald’s prezantoi billboardin e parë në botë që mban erë si patate të skuqura dhe këto patate kanë një erë kaq specifike sa që zinxhiri më i njohur i ushqimit të shpejtë në botë nuk kishte nevojë të vendoste një emër apo një logo në billboard. Këto tabela u krijuan nga agjencia e Amsterdamit TBWA\Neboko, e cila bashkëpunoi me kompaninë e prodhimit Raúl&Rigel. Billboard-et, të cilat janë ose të kuqe ose të verdha, kanë një seksion të fshehur që strehon patatet e skuqura.