Aktualitet

Mbytja e nënës dhe tre fëmijëve në lumin Buna, Nunci Apostolik në Shqipëri lutje për tragjedinë!

Nunci Apostolik në Shqipëri Luigi Bonazzi gjatë meshës së shenjtë në Kishën e Zojës në Shkodër dha një mesazh lidhur me ngjarjen e rëndë ku nëna dhe tre fëmijët u vetëmbytën në ujërat e lumit Buna.

Fillimisht duke folur përpara besimtarëve, Nunci Apostolik tha se gruaja dhe fëmijët mund të kishin një zgjedhje tjetër ndërsa u lut për viktimat.

“Unë sapo u lajmërova për një fatkeqësi që ka ndodhur në Shkodër me mbytjen gruas e bashkë me fëmijët në lumin Buna. Duam ta lusim Zotin edhe për këto persona. Këto persona imagjinoni edhe duke patur probleme të mëdha për të zgjidhur, me siguri kishin mundur të bëjnë zgjedhje të tjerë nëse do kishin menduar se Krishti është me mua. Tek e fundit një i krishterë është një person bashkëkohor, është edhe emri fetar ‘E Pashk’. Shumë e rëndësishme që një i krishterë ta kuptojë në zemër që Krishti i ngjallur është me të. T’ja kërkojmë Zotit këtë hir nëpërmjet kësaj Eukaristie, sidomos për ndërmjetësimin e virgjërës Mari”, tha Luigi Bonazzi.

I pyetur pas meshës për ngjarjen e rëndë për të cilën foli përpara besimtarëve, Nunci Apostolik tha se duhet të pyesim veten përse ndodhi kjo tragjedi. Shoqëria dhe institucionet kërkohet që të jenë më të përgjegjshëm u shpreh Bonazzi.

“Ne me siguri që ndjejmë dhimbje për këtë ngjarje. Ndoshta është e rëndësishme ta pyesim veten këtë grua çfarë e ka shtyrë për të arritur në këtë realitet që ka ndodhur. Sigurisht që është e rëndësishme sepse shpesh herë ne personat i lëmë vetëm i braktisim dhe shumë herë nga vetmia që i krijojmë këto persona përfundojnë në këto lloj situatash. I kisha bërë një apel gjithë shoqërisë sepse duhet që të kemi një kujdes krejt të veçantë, sidomos ndaj atyre personave që luftojnë vetëm por që nuk ia dalin. Një nënë që vetëmbytet bashke me tre fëmijët tregon që situata është vërtetë shumë e rëndë. Është mirë që të mos gjykojmë, ndoshta duhet që të ndiejmë një lloj përgjegjësie secili prej nesh duke parë se çfarë ka ndodhur dhe idea është çfarë mund të bëjmë për të evituar raste të ngjashme. Në të njëjtën kohë t’ia besojmë Zojës së Këshillit të Mirë këtë nënë dhe fëmijët e saj. Nuk duhet të jenë vetëm institucionet politike por edhe shoqëria civile duhet që t’i ketë parasysh këto raste dhe ne si qytetarë të thjeshtë duhet ta pyesim veten se çfarë mund të bëj edhe unë si qytetar i këtij vendi. Kjo është edhe një thirrje që të jetojmë me më shumë respekt në familjet tona në mënyrë që të ketë një dashuri të vërtetë mes burrit dhe gruas. Tek e fundit kjo është një thirrje disi personale. Sigurisht që duhet të ketë një vëmendje ndaj atyre me probleme ekonomike sepse pastaj problemet e jashtme bëhen edhe probleme të brendshme. T’i kërkojmë Marisë që në vendin tuaj dhe kudo të ketë të rinj që punojnë për të mirën e përbashkët. Duhet edhe një sens qytetar për të punuar dhe për shembull ato që janë kontributin e tyre në shkolla, në polici, në spitale, zjarrfikësit, pra në çdo sferë të jetës dhe institucione duhet të dëgjojnë thirrjen për të qenë të përgjegjshëm si qytetarë të mirë në shërbim edhe të të tjerëve”, tha ai.