Bota

Mbyllja e internetit Starlink në Sudan rrezikon ‘dënimin’ e miliona sudanezëve, paralajmërohet Elon Musk!

Gati 100 grupe humanitare në Sudan kanë paralajmëruar Elon Musk se ai rrezikon “të dënojë” miliona sudanezë duke mbyllur shërbimin e tij të internetit satelitor Starlink në vendin e shkatërruar nga lufta. Sudani është përballur me një ndërprerje të gjerë të telekomunikacionit për disa muaj, me shumë grupe që e përdorin Starlink për të operuar gjatë krizës humanitare, si më e madhja në dekada sipas OKB-së.

Megjithatë, krahu satelitor i SpaceX, Starlink, së fundmi ka njoftuar se do t’i largojë shërbimet e tij nga Sudani. Largimi i menjëhershëm i sistemit thuhet se do të rrezikojë destabilizimin e koordinimit të ndihmës emergjente dhe shërbimeve humanitare për miliona civilë.

“Çdo mbyllje e shërbimeve të telekomunikacionit është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe mund të konsiderohet si një dënim kolektiv që jo vetëm që do të izolojë individët nga rrjetet e tyre, por edhe do të përkeqësojë situatën tashmë të rëndë ekonomike me të cilën përballen miliona njerëz”-deklaroi një koalicion prej 94 organizatave të të drejtave që veprojnë në Sudan.

Mbyllja e mundshme e Starlink do të kishte një ndikim joproporcional mbi civilët dhe organizatat e ndihmës që po përpiqen t’i arrijnë ata.

Siç raportohet, lëvizja e Musk do të komplikojë ndërprerjen e gjerë të telekomunikacionit në Sudan me dy palët luftuese, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe ushtrinë sudaneze. Që nga fillimi i luftimeve midis RSF-së dhe ushtrisë sudaneze në prill të vitit 2023, më shumë se 8 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre, ndërsa gjysma e popullsisë së vendit, afro 25 milionë njerëz, kërkojnë ndihmë humanitare. Në zonat ku ka luftime të ashpra dhe telekomunikacioni formal nuk funksionon, si në rajonin e Darfurit, Khartoum, Kordofan, civilët dhe grupet humanitare lidhen përmes internetit Starlink.