Ka përfunduar pas gati tre orësh protesta e opozitës në gjashtë akset kryesore të vendit.
Dhjetra militantë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë kanë bllokuar për tre orë qarkullimin në autostradën Tiranë-Durrës, Elbasan, Rrogozhinë e deri në Milot, Fier dhe aksin Levan – Telepenë.
Tashmë ka nisur qarkullimi normal i automjeteve, ndërsa deputeti demokrat Flamur Noka ka njoftuar përfundimin e protestës.
Gjatë mbajtjes së protestës, ka patur incidente të vogla me qytetarë që kanë tentuar të kalojnë postblloqet e protestuesve, si dhe konfrontim me policinë, megjithatë situata në përgjithësi ka qenë e qetë.
Policia i parapriu protestës, duke devijuar trafikun në rrugë alternative.
“Sot ishte një ditë e jashtëzakonshme, e gjithë Shqipëria sot ka qenë në duart dhe në pushtetin e opozitës. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që iu përgjigjën ftesës së opozitës në këtë hap të madh të mosbindjes civile. Dua të falënderoj edhe qytetarët shqiptarë që bënë gjithçka të shmangin përplasjen dhe iu bindën thirrjes së opozitës për të qëndruar në shtëpitë e tyre.
Sot ishte një ditë e zezë për narko-regjimin. Mosbindja civile ka filluar të japë frytet e veta. Mosbindja civile do të jetë ajo që do t’i sjellë zgjidhje shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mosbindja civile do të vazhdojë, do t’ju njoftojmë për hapat e radhës”, deklaroi deputeti Flamur Noka në përfundim të protestës.