Aktualitet Sport

Mbyllet me BARAZIM 0-0 ndeshja Shqipëri-Çeki!

Ka përfunduar me barazim 0-0 , ndeshja Shqipëri-Çeki, sfidë e vlefshme për Grupin B1 në Ligën e Kombeve, që u luajt në “Air Albania’’. Me këtë rezultat dhe barazimin 1-1 të Gjeorgjisë me Ukrainën, mundësitë për kualifikimin më tej janë të hapur për kuqezinjtë. Të martë në orën 20:45 po në Tiranë luhet sfida e fundit, ku tanët presin Ukrainën.

Rreshtimi i Sylvinhos ishte i njëjtë, me skemën 4-3-3 që nuk ndryshoi. Në portë Strakosha, në mbrojtje rreshtohen Balliu, Ismajli, Ajeti dhe Mitaj. Në mesfushë luajnë Asllani dhe Ramadani teksa Laço do të luajë pak më i avancuar. Krahët do të mbulohen nga Asani dhe Bajrami, ndërsa maja e sulmit i është besuar Indrit Tucit, pas paraqitjeve shumë të mira në dy ndeshjet e muajit tetor ku edhe debutoi.

Më shumë se 21 mijë zemra kuqezi u bënë bashkë në shkallët e stadiumit dhe miliona të tjerë kudo ka shqiptarë. Pak orë para sfidës tifozët e Kombëtares nisën festën në Tiranë me këngë dhe flakdanë ndërsa atmosfera ishte e nxehtë edhe në stadium.

Në një ceremoni të veçantë, Federata Shqiptare nderoi para ndeshjes me Çekinë katër futbollistë të cilët së fundmi i kanë dhënë lamtumirën kombëtares. Ermir Lenjani, Bekim Balaj, Odise Roshi dhe Klaus Gjasula konsiderohen të dalë në pension nga ngjyrat kuqezi dhe morën nderimet e duhura si legjenda të kombëtares.

Përballja e sotme është e pesta në histori mes skuadrave, me dy fitore të çekëve, një të kuqezinjve dhe një barazim. Triumfi i Shqipërisë ishte një vit më parë në Tiranë, me tanët që fitonin 3-0 me golat e Asanit dhe dopietën e Seferit, duke ‘zyrtarizuar’ kalimin në finalet e Euro 2024 që u zhvillua në Gjermani. Ndërkohë pesë gola ka shënuar Shqipëria në portën e çekëve, kundrejt gjashtë të pësuarve.