U mbyll me shpalljen e fituesve edicioni i 76-të i Festivalit të Filmit në Kanë ku çmimi kryesor, pra Palma e Artë i shkoi regjisores franceze Justine Triet për filmin e saj, “Anatomy of a Fall”.
Juria e kryesuar nga fituesi i vitit të kaluar, regjisori suedez, Ruben Ostlund u bind nga kjo dramë franceze që flet për një grua e cila duhet që të dalë në gjyq pas vdekjes së bashkëshortit, por çështja është e paqartë dhe nuk ka dëshmitarë.
Personazhi kryesor është Sandra, një shkrimtare gjermane, e cila arrestohet për vrasje, pasi burri i saj ndërroi jetë në dëborë, në rrethana të dyshimta. Tashmë, ajo do të përpiqet të provojë pafajësinë gjatë procesit gjyqësor, ndërsa regjisorja Justine Triet, njëherazi bashkëskenariste arriti të bindte jurinë e festivalit të njohur të filmit në Kanë dhe që u zhvillua nga data 16 deri më 27 maj. “Anatomy of a Fall” mundi të triumfojë mes 21 filmave në garë.
Kështu, Justine Triet bëhet gruaja e tretë që fiton çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Kanë. Edhe aktorët hollivudianë legjendarë Michael Douglas e Harrison Ford janë mes fituesve të Festivalit të 76-të të Filmit në Kanë, që të dy të vlerësuar me Palmat e Arta të Nderit.
– Palma e Artë –
Justine Triet për “Anatomy of a fall”
– Çmimi i madh –
Jonathan Glazer për “The Zone of Interest”
– Çmimi i skenës –
Tran Anh Hung për “La passion de Dodin Bouffant”
– Çmimi i jurisë –
Aki Kaurismäki për “Dead Leaves”
– Çmimi i skenarit –
Sakamoto Yuji për “Monster”
– Çmimi për aktoren më të mirë –
Merve Dizdar për “Dried Herbs”
– Çmimi për aktorin më të mirë –
Koji Yakusho për “Ditët e përsosura”
– Kamera e artë –
“The Golden Butterfly Tree” nga Thien An Pham
– Film i shkurtër –
“27” nga Flora Anna Buda
– Palmat e Artë e Nderit –
Michael Douglas dhe Harrison Ford.