Bota

Mbyllet ‘anija-burg’ që strehonte emigrantët në Angli, kritikohej për kushtet e këqija!

Mjeti gjigant i ankoruar në brigjet jugore të Dorset, ku strehohen tashmë 400 emigrantë ilegalë, do të mbyllet në janar kur të përfundojë kontrata aktuale me operatorët.

Anija famëkeqe ‘Bibby Stockholm’, e përdorur si akomodim për emigrantët nga qeveria e Britanisë, do të mbyllet njoftojnë autoritetet.

Ministria e brendshme dha njoftimin duke argumentuar se “po përpiqet të kursejë me akomodimin e azilantëve”  dhe se përdorimi i mjetit gjigant pluskues është shumë i kushtueshëm.

Mjeti ishte kthyer në një simbol të qasjes së çuditshme të qeverisë britanike ndaj emigracionit pasi vitin që shkoi refugjati shqiptar Leonard Farruku, vrau veten teksa jetonte në mjet, siç raportohet prej kushteve të rënda dhe mungesës së lëvizjes e lire.

Ministrja britanike e azilit dhe sigurisë kufitare Angela Eagle, tha sot: “Jemi të vendosur për të bërë sistemin e azilit të funksionojë duke reduktuar çështjet e prapambetura e te akumuluara dhe duke shkurtuar shpenzimet e akomodimit që rëndojnë mbi taksapaguesit.”

Akomodimi lundrues ishte gjithashtu një kurth vdekjeje për zjarrfikësit prej mungesës së daljeve të sigurisë dhe mbipopullimit me pasagjerë.

Mes mbrojtësve të barkës-hotel është ish-ministrja konservatore Suella Braverman qe e implementoi fillimisht, ashtu si dhe ish-ministri Robert Jenrick, që ka thënë se hoteli pluskues është një “akomodim shumë i pranueshëm”.