Pasi ngriti zërin për mbrojtjen e lumit Vjosë, Leonardo DiCaprio përshëndet si shumë premtuese lajmet që vijnë nga Shqipëria se Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të virgjër të Europës mund të shpëtohet nga ndërtimi i hidrocentraleve. Në një reagim të fundit në rrjetet sociale, ylli hollivudian pret që nën shembullin e Shqipërisë, edhe Bosnje-Hercegovina të ndërmarrë hapa ligjorë për të mbrojtur lumenjtë e Zemrës Blu të vendit nga shkatërrimi i mëtejshëm për shkak të hidrocentraleve të vegjël.
Di Caprio iu referua njoftimit të Kryeministrit Rama se projekti i Digës së Kalivaçit nuk u pranua dhe se zona do të jetë park kombëtar. Ai shpreh besimin se “Parku Kombëtar i Lumit të Vjosës do të bëhet vendi më i madh në Europë për ruajtjen e lumenjve, si dhe mbrojtjen e mijëra specieve”. Kujtojmë se prej rreth një viti, Leonardo DiCaprio iu bashkua nismës për mbrojtjen e lumit Vjosa nga HEC-et.