Bota

Mbretëria e Bashkuar, funerali i Princit Philip më 17 prill

Të shtunën më 17 prill, në Kështjellën Windsor i jepet lamtumira e fundit Princit Philip, bashkëshortit të Mbretëreshës Elizabeta e Dytë. Duka i Edinburgh-ut u nda nga jeta dy ditë më parë, në moshën 99-vjeçare, dy muaj para 100-vjetorit të tij të lindjes.
Mesha në kishën Saint George’s Chapel do të fillojë në 15:00 me orën lokale e do të paraprihet nga një minutë heshtje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Pavarësisht ndryshimeve të nevojshme, planet për varrimin respektojnë vullnetin e shprehur nga vetë Duka i Edinburgh-ut, i cili ka refuzuar homazhet. Do të jetë një funeral mbretëror ceremonial, i njëjtë si për Nënën Mbretëreshë, bazuar në statusin mbretëror.

Në kishë, ku liturgjinë do ta drejtojë Arqipeshkvi Anglikan i Canterbury-t, nuk do të ketë më shumë se 30 persona, familjarë të afërt e sekretari privat i Dukës, Archie Miller Bakewell. Të ftuarit e tjerë do të qëndrojnë jashtë.

Në Mbretërinë e Bashkuar janë shpallur 8 ditë zie dhe dje nuk mungoi homazhi prekës i forcave të armatosura me 41 të shtëna me top në shenjë nderimi për Princin Philip, si ish-ushtarak.

Për shkak të pandemisë koronavirus, ndalohet pjesëmarrja e publikut. Princi Harry konfirmoi praninë për t’i dhënë lamtumirën e fundit gjyshit, por pa bashkëshorten Meghan e cila do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara.

Trashëgimtari i fronit, Princi Charles postoi një video ku shprehet se babai i tij ishte një person me të vërtetë special.