Thuhet se Mbretëresha Elizabeth II ka lënë një letër sekrete që mbahet brenda një kasaforte në ndërtesën historike të mbretëreshës Victoria të Australisë. Letra nuk duhet të hapet për 63 vjet të tjera, ndërsa ka 36 vjet që mbahet aty. Letra është shkruar nga mbretëresha në nëntor të 1986-s gjatë një vizite shtetërore në Sidney. Në letrën e shkruar nga mbretëresha drejtuar kryetarit të bashkisë së Sidney-t Australi thuhet:
Përshëndetje. Në një ditë të përshtatshme të zgjedhur nga ju në vitin 2085, ju lutemi hapni këtë zarf dhe përcillni tek qytetarët e Sidneit mesazhin tim për ta.
Ndërtesa në të cilën ruhet kasaforta u përurua në 1898 për t’i bërë nderime Mbretëreshës Victoria në jubileun e saj të Diamantit. Mbretëresha e ndjerë vizitoi për herë të parë Australinë në vitin 1954. Ajo ishte monarkja e parë në fuqi që vizitoi vendin. Në total, Mbretëresha Elizabeth II e ka vizituar Australinë 16 herë.
Ndërkaq, rikujtojmë se funerali i Mbretëreshës Elizabeth II do të mbahet të hënën më 19 shtator në Westminster Abbey në Londër, ka konfirmuar Buckingham Palace. Kjo ditë është shpallur ditë pushimi në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga mbreti Charles III, i cili e ka marrë zyrtarisht detyrën në mëngjesin e 10 shtatorit.
Trupi i pajetë i mbretëreshës do të dërgohet nga Kështjella Balmoral në Edinburg ditën e diel, para se të dërgohet të martën në Londër. Njihuni në këtë artikull me disa momente të jetës së saj, duke parë edhe si duket mbretëresha Elizabeth II që nga viti i parë i jetës, adoleshenca, marrja e detyrës në udhëheqje të Mbretërisë së Bashkuar dhe deri në momentet e fundit të jetës.