Aktualitet Politikë

Mbledhja e kryesisë në PD, zbardhet kërkesa e Helidon Bushatit!

Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ka mbledhur sot kryesinë e Partisë Demokratike në orën 19:00 për të diskutuar për situatën e brendshme në parti pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.

Diskutimet mes tyre:

Enkelejd Alibeaj: Patëm mbledhje me sekretariatin e partisë për të diskutuar në lidhje me situatën në parti. Së pari, për nesër kemi paraqitur mocion me debat. Është nga shenjat e luftës opozitare. Një nga drejtimet ku duhet të ecë partia është lufta opozitare më parlament e sinqertë dhe e plotë. Së dyti kemi situatën tonë ku jemi për qëndrimin e mëtejshëm. Pesha për secilin është e madhe, por duhet të jemi që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurtë.

Helidon Bushati: Jemi këtu për të mirën e PD. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikës. Duhen akte korrekte për këtë. Debat konstruktiv që objektiv të jetë bashkimi, pa përjashtuar asnjë. Gjesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam vetëm unë këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyrë ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i parë për bashkimin. Vetëm të bashkuar mund të jemi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet janë më të afërta.

Xhelal Mziu: Jemi në një situatë jo të mirë, por në kohë të volitshme për t’i paraprirë zgjedhjeve të 2023. Rezultati i 6 marsit foli për shumicë në anën tjetër. As ne, as ata nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin. Nëse kthehen zgjedhjet 2023,do ishte vrastare për PD. Duhet të gjejmë mënyrë për tu bashkuar. Nuk e gjykoj që data 30 prill është zgjidhje. Nuk është normale që t’i bëjmë karshillëk njëri-tjetrit. Ne kemi potencialin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja gjendet duke patur një komision të përbashkët. Foltorja ka nisur organizimin në të gjitha degët. Nëse vazhdojmë kështu do të vazhdojmë të mbetemi të papërfaqësuar dhe pastaj na rroftë sigla e PD. Pra ky grup i përbashkët të garantojë që nuk ka vend për triumfalizëm.

Në mbledhje nuk kanë marrë pjesë anëtarët e dorëhequr:

Lulzim Basha

Grida Duma

Agron Gjekmarkaj

Flutura Acka

Lindita Metaliaj

Ndërkohe marrin pjesë deputetët që bojkotuan mbledhjen e së hënës: Ervin Salianji, Tomorr Alizoti, Helidon Bushati dhe Xhelal Mziu, të cilët janë edhe anëtarë kryesie.