Aktualitet Politikë

Mbledhja e grupit socialist, Rama sërish kritika deputetëve!

Një ditë pas Kongresit të Partisë Socialiste, sot kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar nga ku prezantoi ministrat e rinj që do të drejtojnë ministritë e Brendshme, të Mbrojtjes e të Financave deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Burime për Top Channel bëjnë të ditur se shefi i qeverisë falënderoi Taulant Ballën, Niko Peleshin dhe Ervin Meten për kontributin e tyre në krye të këtyre dikastereve, si dhe vijoi të ishte kritik me deputetët.

Në të njëjtën linjë me fjalimin e mbajtur dje në Kongres, Rama mësohet të ketë thënë se ka deputetë që nuk e kanë merituar votën e socialistëve për të shkuar në Parlament. Ai është shprehur se nga sot e deri në prillin e vitit të ardhshëm, deputetët do të jenë në test për një vend në listat e kandidatëve për deputetë.

Një ditë më parë, duke folur në Kongresin e socialistëve, lëshoi një sërë kritikash për deputetët.

Detyra e deputetit matet me kilometrat e bëra në këmbë në vendin ku jeton komuniteti që i ka dhënë mandatin. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë tjetër veçse shembulli që dëgjon njerëzit e të zhvillojë dijet me problemet që duhet të merret, të zgjidhë halle të mëdha e të vogla. Të jesh deputet i kësaj partie, e konsideroj privilegj të pakrahasueshëm dhe të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve është borxh që nuk lahet dot kurrë.

Atyre që më pyesin shpesh ku e gjen këtë energji, ua kthej me një buzëqeshje. Por, dua t’iu them se nuk kam si rri dot asnjë orë rehat përderisa mes atyre që ma kanë bërë këtë nder, ka shumë që nuk janë rehat në atë orë. Kjo është çështje detyre.

Dua t’iu kërkoj ndjesë për ata deputetë që nuk e kanë përmbushur akoma minimumin jetik për detyrën që paguhen nga taksat e shqiptarëve, shumë më mirë se shumica.

U kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin vetëm për të më shoqëruar mua, për ata deputetë që u del zëri vetëm për interesa të tyre dhe për ata deputetë që flasin sikur kanë ardhur në Hënë.