Aktualitet

Mbikëqyrja e tregjeve, inspektorateve iu duhen staf dhe mjete!

Inspektimi në tregje të ndryshme nga ana e inspektorateve, në disa raste, duket se kufizohet edhe nga aspekte elementare siç është mungesa e mjeteve të transportit. Raporti vjetor i Inspektoratit Qendror ndalet në rastin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregjeve duke sjellë në vëmendje si problematikë pikërisht mungesën e transportit. Referuar raportit, ky inspektorat operon në një numër të madh tregjesh dhe mbulimi që kërkohet është i madh, çka sjell kufizime më pas.

Mungesa e automjeteve të transportit për trupat inspektuese në kryerjen e detyrave funksionale të institucionit, të cilat sjellin vështirësi në realizimin e planit të inspektimeve, duke pasur në konsideratë shtrirjen e gjerë territoriale; Nevoja për ristrukturim të institucionit, duke qenë se ISHMT është institucion raportues për Kapitujt e BE-së dhe duke qenë se në fushën e Pronësisë intelektuale, sipas ligjit parashikohen 12 fusha të të drejtave të autorit që gëzojnë mbrojtje, por aktualisht inspektohen vetëm 4 fusha, vlerësohet në raportin e Inspektoratit Qendror.

I njëjti dokument nënvizon se rritja e gamës së fushave të inspektimit, shtrirja e gjerë territoriale e ushtrimit të veprimtarisë së ISHMT-së dhe shtimi i fluksit shumë të lartë të praktikave administrative shtron nevojën për rritjen e numrit të stafit.

Sa i takon aspekteve rregullatore, raporti vëren se ka nevojë për përmirësime të legjislacionit në fushën e Mbikëqyrjes së Tregut dhe të Pronësisë Intelektuale për ashensorët, për detergjentët e për pronësinë intelektuale. Gjithashtu, shihen të arsyeshme trajnimet për fusha të reja apo analiza laboratorike.

Nevoja për trajnime dhe fushata sensibilizuese, për fusha të reja si për aeroplanët pa pilot, kimikatet, pajisjet aerosol, programet kompjuterike, si dhe informimi i konsumatorëve dhe operatorëve ekonomik në lidhje me kërkesat ligjore që shtron legjislacioni; Nevoja për ndryshime proceduriale që duhet t’i nënshtrohen analizave laboratorike në laboratorë të huaj, duke patur në konsideratë që në Shqipëri ekziston vetëm një laborator i akredituar për analizat e tekstilit dhe lëkurës, ndërsa për produkte të tjera që janë në fokusin e inspektimit të ISHMT-së si: lodra, detergjente, produkte të kujdesit për fëmijë, etj., analizat duhet të kryhen në laboratorë të akredituar të huaj, nënvizon raporti.