Mbi një milion lloje të florës dhe faunës së egër kërcënohen me zhdukje, sipas faqes zyrtare të OKB-së. Miliarda njerëz, në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim, përfitojnë çdo ditë nga përdorimi i specieve të egra për ushqim, energji, materiale, mjekësi, rekreacion, frymëzim dhe shumë kontribute të tjera jetike për mirëqenien njerëzore. Përshpejtimi i krizës globale të biodiversitetit, me një milion lloje bimësh dhe kafshësh që po përballen me zhdukjen, kërcënon këto kontribute për njerëzit.
Këtë vit, OKB-ja feston një partneritet të veçantë, 50-vjetorin e Konventës për Tregtinë Ndërkombëtare të Llojeve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër (CITES). Kjo Konventë është një marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet qeverive për të siguruar që tregtia ndërkombëtare e ekzemplarëve të kafshëve dhe bimëve të egra të mos kërcënojë mbijetesën e specieve. Ajo u jep shkallë të ndryshme mbrojtjeje më shumë se 37 000 llojeve të kafshëve dhe bimëve. Mbajtja e partneriteteve ekzistuese dhe ndërtimi i atyre të reja është kritike për të ardhmen e jetës në Tokë.
Rikujtojmë, se sipas hulumtimeve të reja, qindra lloje kafshësh, kanë gjak të kontaminuar me substanca toksike PFAS. Megjithëse analiza nuk synon të zbulojë se si ekspozimi ndaj substancave PFAS ndikon në jetën e egër, provat në disa nga studimet e mëparshme tregojnë se kimikatet ka të ngjarë të sëmurin kafshët. Analiza është bërë nga një organizatë jofitimprurëse që monitoron kontaminimin PFAS, duke zhvilluar një hartë interaktive që tregon se cilat specie kafshësh janë studiuar, ku janë analizuar dhe nivelet dhe llojet e PFAS të gjetura në gjakun e tyre.