Shqipëria është vendi me incidencën më të ulët të kancerit të prostatës në Europë. Kjo sëmundje, e cila është statistika më e zakonshme e kancerit te meshkujt mbi 50 vjeç, ka një rritje të mundësisë për tu prekur me kalimin e moshës.
Sipas të dhënave të fundit, incidenca e kancerit të prostatës në Shqipëri është 131,1 raste për 100,000 burra të moshës 55-85 vjeç, ndërsa mesatarja europiane është 469,7 raste për të njëjtën grupmoshë. Kanceri i prostatës përbën pothuajse një të katërtën e rasteve të reja të kancerit te meshkujt në Europë dhe shkakton mbi 70,000 vdekje çdo vit.
Megjithatë, Shqipëria, edhe pse ka nivele më të ulëta se vendet e tjera evropiane, nuk është e përjashtuar nga kjo tendencë. Në vitin 2020, në vendin tonë u regjistruan 257 raste të reja të kancerit të prostatës dhe 128 vdekje.
Një studim i fundit i publikuar në “British Medical Journal” thekson se mbidiagnostikimi i kancerit të prostatës në Europë ka ndikuar ndjeshëm në variacionin e incidencës së sëmundjes midis vendeve, duke rritur rastet e diagnostikimeve të panevojshme. Ndërsa normat e incidencës ndryshojnë deri në 20 herë ndërmjet vendeve, normat e vdekshmërisë ndryshojnë vetëm pesë herë, duke treguar një kontrast të madh.
Shkalla e lartë e mbi diagnostikimit lidhet me përdorimin e testit të antigjenit specifik të prostatës (PSA), i cili shpesh zbulon tumore që nuk përparojnë dhe nuk kërcënojnë jetën e individit. Ekspertët paralajmërojnë se kjo çon në trajtime të panevojshme dhe pasoja negative për cilësinë e jetës së burrave.
Kjo situatë nënvizon nevojën për një qasje të kujdesshme dhe të informuar në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të prostatës, për të siguruar që pacientët të marrin ndihmën më të përshtatshme.