Bota

Mbi 50 të vdekur dhe 1.5 milion të prekur nga përmbytjet në Indi!

Shirat e rrëmbyeshëm të musonit shkaktuan përmbytje të mëdha, rrëshqitje dheu dhe shembje shtëpish në të gjithë Indinë verilindore, duke prekur afro 1.5 milion njerëz e shkaktuar më shumë se 50 vdekje, sipas përditësimeve të autoriteteve të menaxhimit të fatkeqësive.

Në Assam, shtetin më të madh në rajon, u raportuan 46 vdekje që nga fillimi i sezonit të musoneve në qershor dhe 1,2 milion njerëz janë prekur nga pasojat e lidhura me përmbytjet. Më tepër se 25 mijë vetë po qëndrojnë në vendstrehime të përkohshme si shkolla, stadiume e të tjera godina qeveritare. Ata kanë humbur kafshët e fermës e të korrat iu dëmtuan.

Të paktën 10 vdekje të tjera u raportuan nga shtetet Sikkim, Nagaland e Manipur, shumica nga përmbytjet, shembjet e shtëpive e rrëshqitjet e dherave. Disa rrugë nuk mund të kalohen për shkak të daljes së përrenjve të tejmbushur e lumenjve.

Sinoptikanët parashikojnë më shumë reshje shiu në rajon në dy ditët e ardhshme. Sezoni i musoneve në Indi zgjat nga qershori e deri në shtator dhe është një ndihmë për fermerët që kërkojnë shiun për të ujitur të korrat. Por, sezoni lë pas edhe gjurmë vdekjesh e shkatërrimi po ashtu.

Ndërkaq, kapriçot e  motit bënë që rusët të përballen me të nxehtin më të madh në mbi 100 vitet e fundit, pasi sot temperaturat arritën 35 gradë Celcius nëpër qytetet e Rusisë. Në kryeqytetin Moskë u thye një rekord i vitit 1917. Në Moskë, ku temperaturat ranë minus 40 gradë dimrin e kaluar, dje u rritën në 32.7 duke thyer një rekord të vitit 1917 me gjysmë grade, siç njoftoi qendra meteorologjike FOBOS.

Rekordet u kthyen nga bregdeti rus në Paqësor dhe nga pjesët e Siberisë e ato europiane të Rusisë, siç raportoi FOBOS. Moti i nxehtë i ka rritur shumë kërkesat për hapjen e kondicionerëve e përdorimin e ventilatorëve. Në Moskë, qytetarët porositën sasi rekord të akullore, si dhe pijeve alkoolike të ftohta. Në metro dhe në shumë trena, udhëtarëve iu shpërndahet ujë.

Kryetari i Bashkisë Moskë, Sergei Sobyanin, iu bëri thirrje qytetarëve të zonës metropolitane me një popullsi prej rreth 20 milion banorësh, të jenë të kujdesshëm e të mos dalin jashtë në orët e nxehta të ditës.

Gjatë ditës, temperatura e ajrit do ta tejkalojë normën dhe pritet të rritet përsëri në 30 gradë celcius.
Për nesër, meteorologët parashikojnë përkeqësim të motit, me stuhi dhe breshër. Ndryshimet klimatike janë duke nxitur valë të rrezikshme të nxehtësisë në hemisferën veriore e po vazhdojnë të shkaktojnë mot të rrezikshëm për dekada me radhë, sipas një studimi.