Vitin e kaluar, Google hoqi më shumë se 5,5 miliardë reklama që shkelnin udhëzimet në internet të kompanisë ose ishin të destinuara për qëllime mashtruese. Një raport i Google mbi sigurinë e reklamave, deklaroi se përmbajtja e bllokuar përfshinte reklama për produkte të rrezikshme ose përmbajtje seksuale, por gjithashtu reklama që premtonin një kurë mrekullie ose pasuri të shpejtë në një mënyrë të dyshimtë.
Nënkryetari i ”Google”, Duncan Lennox tha se qëllimi i kompanisë është të njohë reklamat mashtruese dhe të bllokojë llogaritë përgjegjëse përpara se të arrijnë platformat e Google ose t’i heqë ato menjëherë sapo të zbulohen. Trendi më i madh në vitin 2023 ishte ndikimi i inteligjencës artificiale gjeneruese.
”Nuk ka dyshim se prezantimi i mjeteve video të disponueshme lehtësisht të IA ka përkeqësuar përhapjen e reklamave mashtruese të rreme të thella”,-shtoi ai. Deepfakes janë fotografi, video ose skedarë audio që ndryshohen qëllimisht duke përdorur inteligjencën artificiale duke i bërë njerëzit të duken se bëjnë ose thonë gjëra që nuk i kanë bërë ose që nuk i kanë thënë kurrë. Menaxheri i Google theksoi se inteligjenca artificiale gjithashtu ndihmon në identifikimin e përmbajtjes mashtruese dhe zbatimin e udhëzimeve të Google.
Ndërkaq, rregullatorët evropianë kanë nisur hetimet kundër kompanive Apple, Google dhe Meta. Ky është rasti i parë i hetimeve në përputhje me ligjin e ri, që hyri në fuqi këtë muaj, i cili ka për qëllim të mos i lejojë kompanitë e mëdha të teknologjisë ta kontrollojnë tregun digjital.
Komisioni Evropian tha se po i heton këto kompani për “mosbindje” ndaj Aktit të Tregjeve Dixhitale (ATD). Akti i Tregjeve Digjitale është një ligj i gjerë i cili i ka në shënjestër kompanitë e mëdha të teknologjisë që ofrojnë “shërbime të platformës kryesore” duke i detyruar ato t’u përmbahen një sërë rregullash se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo. Nëse nuk i përmbahen ligjit, ato rrezikojnë ndëshkime të ashpra financiare, e madje edhe me mbylljen e bizneseve.