Bota

Mbi 43 mijë palestinezë të vrarë në luftën 1-vjeçare në Gaza!

Më shumë se 43 mijë palestinezë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë deri tani në luftën njëvjeçare në Rripin e Gazës, siç njoftoi sot Ministria palestineze e Shëndetësisë. Kjo shifër përfshin edhe 96 viktimat që u dërguan në spitalet e Gazës në dy ditët e fundit, siç shtoi ky dikaster që udhëhiqet nga Hamasi, grupi radikal palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian.

Ushtria izraelite ka kryer një operacion në veri të Gazës, përfshirë ndaj një spitali, gjatë kësaj fundjave. Ushtria vuri në dukje edhe se ka arrestuar 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë kontrolleve në spitalin “Hamal Adwan” në Beit Lahiya, të premten e kaluar, më 25 tetor. Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e akuzoi Izraelin se ka arrestuar 44 pjesëtarë, anëtarë të personelit të spitalit.

Autoritetet shëndetësore palestineze thanë se spitali ku po mjekoheshin rreth 200 pacientë, u dëmtua ndjeshëm nga sulmi. Izraeli ka sulmuar disa spitale në Gaza gjatë luftës njëvjeçare, duke deklaruar se Hamasi dhe të tjerë militantë i përdorin ato për qëllime ushtarake. Zyrtarët palestinezë i mohojnë këto akuza dhe e akuzojnë ushtrinë se po i rrezikon civilët.

Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga veriu i Gazës, ku është duke e kryer një ofensivë të madhe prej tre javësh tashmë. Në fillim të këtij muaji, OKB-ja deklaroi se të paktën 400 mijë njerëz ndodhen në veriun e Gazës dhe se kriza e urisë është thelluar pasi sasitë e ndihmës humanitare janë pakësuar në muajin e fundit në këtë pjesë të vendit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë vuri në dukje se të paktën 43 mijë e 20 njerëz janë vrarë e 101 mijë e 110 të tjerë janë plagosur që kur nisi lufta më 7 tetor të vitit të kaluar. Ndërkaq, nuk u ndal te detajet se sa ishin civilë e sa të tjerë militantë. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare në jug të Izraelit dhe hynë me vrull në anën tjetër të kufirit, duke vrarë rreth 1 mijë 200 njerëz kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Disa u liruan, të tjerë mbahen e ka edhe viktima në radhët e personave të mbajtur peng.