Bota

Mbi 43.000 palestinezë të vrarë në luftën njëvjeçare në Gazë!

Më shumë se 43.000 palestinezë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë deri tani në luftën njëvjeçare në Rripin e Gazës, tha të hënën Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Kjo shifër përfshin edhe 96 të vdekurit që u dërguan në spitalet e Gazës në dy ditët e fundit, tha kjo Ministri, e cila udhëhiqet nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ushtria izraelite e ka kryer një operacion në veri të Gazës, përfshirë ndaj një spitali, gjatë kësaj fundjave. Ushtria tha se i arrestoi 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë bastisjes në spitalin “Hamal Adwan” në Beit Lahiya, të premten.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e akuzoi Izraelin se i ka arrestuar 44 pjesëtarë burra të stafit të spitalit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën 43.020 njerëz janë vrarë dhe 101.110 të tjerë janë plagosur prej se nisi lufta më 7 tetor 2023. Ajo nuk tregoi sa ishin civilë e sa militantë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare në jug të Izraelit dhe u futën vrullshëm matanë kufirit, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe duke i rrëmbyer 250 të tjerë.