Ndryshimet klimatike që po ndodhin, ndikojnë në sjelljet e viruseve të cilët rrisin sëmundshmërinë në popullatë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përditësuar listën e patogjeneve që kanë rrezik të shtuar për të shkaktuar një pandemi të re në të ardhmen, që nga Ethet e Nilit Perëndimor të cilat kanë shtuar numrin e rasteve, por edhe mutacioni që ka pësuar lija e majmuni e cila tanimë transmetohet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet kontaktit të ngushtë apo prekjes së sendeve të infektuara dhe nuk shfaqet vetëm në Afrikë.
Ndërkaq, vdekjet për shkak të infeksioneve rezistente do të rriten në dekadat e ardhshme dhe kjo rritje pritet të jetë pothuajse 70% deri në vitin 2050 krahasuar me vitin 2022. Sipas një studimi të botuar në revistën ” The Lancet”, vlerësohet se deri në vitin 2050 më shumë se 39 milionë njerëz në mbarë botën mund të vdesin nga infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve.
Kjo është analiza e parë globale e tendencave të rezistencës antimikrobike (AMR), e kryer si pjesë e programit Global Research on Antimicrobial Resistance. Studimi mbulon njerëz të të gjitha moshave në 204 vende dhe rajone.
Është vlerësuar se më shumë se një milion njerëz vdesin si rezultat i rezistencës të infeksioneve ndaj antibiotikëve në mbarë botën çdo vit në periudhën 1990-2021. Numri i vdekjeve u rrit më së shumti në pesë rajone globalep; Afrikën Perëndimore Sub-Sahariane, Amerikën Latine Tropikale, Amerikën e Veriut, Azinë Juglindore dhe Azinë Jugore.
Gjatë së njëjtës periudhë, numri i vdekjeve ra me 50% te fëmijët nën moshën pesë vjeç, një rënie që përkoi me përmirësime të rëndësishme në ofrimin e masave për parandalimin dhe kontrollin e infeksionit tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, të tilla si programet e vaksinimit. Megjithatë, vdekjet u rritën me më shumë se 80% te njerëzit e moshës mbi 70 vjeç, për shkak të një popullsie që plaket me shpejtësi dhe vulnerabilitetit më të madh të të moshuarve ndaj infeksionit. Këto tendenca parashikohet të vazhdojnë edhe në dekadat e ardhshme.
Një numër i madh i vdekjeve që lidhen me superbakteret rezistente ndaj ilaçeve mund të shmangen dhe numri i vdekjeve në vendet më të varfra mund të reduktohet me 18%, ose rreth 750 mijë në vit, me zbatimin e masave parandaluese. Këtë ka pohuar një studim i Universitetit Princeton. Në një studim i botuar në revistën mjekësore Lancet thekson se hulumtimi ka treguar se 750,000 vdekje të lidhura me superbakteret mund të parandalohen çdo vit duke siguruar qasje më të mirë në ujë dhe kanalizime, kontrollin e infeksionit dhe vaksinat e fëmijërisë.