Të paktën 33 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite që në shënjestër kishin disa shtëpi në një shesh në Xhabalia, kampi më i madh i refugjatëve në Rripin e Gazës. Kjo u raportua nga ekipet mjekësore në zonë. Banorët treguan se tanket hodhën në erë rrugë e shtëpi ndërsa vazhdojnë që të përparojnë më tej në territorin palestinez.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA raportoi se “të paktën 20 gra dhe fëmijë ishin në mesin e të vrarëve”. Mjekët thanë se mbi 85 persona të tjerë u plagosën. Autoritetet izraelite ende nuk kanë bërë komente në lidhje me sulmin.
Para bombardimeve të reja, autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës informuan se të paktën 39 palestinezë, 20 prej tyre në Xhabalia, ishin vrarë nga sulmet ushtarake izraelite në të gjithë Gazën, një ditë më parë. Banorët e kampit Xhabalia në Gazën e veriut dëshmuan se në qendër të kampit, tanket izraelitë shkuan të ndihmuar nga artileria e rëndë dhe sulmet ajrore. Ata shtuan se “ushtria izraelite po shkatërronte dhjetëra shtëpi në ditë, nga ajri e nga toka”.
Ushtria izraelite bëri të ditur se forcat e saj, të cilat kanë vepruar në Xhabalia në dy javët e fundit, vranë dhjetëra militantë gjatë luftimeve të së enjtes e po ashtu kryen sulme ajrore, duke shkatërruar infrastrukturën ushtarake të militantëve palestinezë.
Më vonë, dje, banorët në Xhabalia dhe dy qytete aty pranë, u shprehën se komunikimet dhe shërbimet e internetit ishin ndërprerë duke shkaktuar edhe ndërprerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit nga ekipet mjekësore të autoambulancave e mundësinë e njerëzve të prekur nga operacionet izraelite për të kërkuar ndihmë.
Përshkallëzimi i operacionit izraelit në Xhabalia vjen pasi autoritetet izraelite njoftuan se ushtria vrau udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar, i cili konsiderohej “armiku numër një i Izraelit”, sepse akuzohej se ishte “arkitekt” i sulmit të 7 tetorit 2023 në Izraelin jugor, më vdekjeprurësi në historinë e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve.
Ushtria izraelite shtoi se operacioni i saj në Xhabalia synon “të frenojë rigrupimin e luftëtarëve të Hamasit dhe kryerjen e sulmeve të reja ndaj Izraelit“. Vazhdimisht, Izraeli ka goditur kampet e refugjatëve dhe shkollat që strehojnë personat e zhvendosur në Rripin e Gazës.
Në Rripin e Gazës, lufta filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor, në të cilin u vranë 1 mijë e 200 persona dhe rreth 250 u morën peng. Më shumë se 42 mijë palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake izraelite deri tani, referuar autoriteteve shëndetësore të Gazës.