Të paktën 205 njerëz kanë vdekur nga përmbytjet që shkatërruan juglindjen e Spanjës këtë javë, sipas një raporti të ri të përkohshëm nga shërbimet e urgjencës. Aty thuhet se aktualisht dhe përkohësisht, numri i viktimave është 202 persona vetëm për rajonin e Valencias, më i godituri nga tragjedia. Dy vdekje të tjera ndodhën në rajonin fqinj Castile-La Mancha dhe një në Andaluzi.
Dhjetëra njerëz, numri i të cilëve ende nuk dihet vazhdojnë të zhdukur në Spanjën e tronditur nga përmbytjet apokaliptike. Në vendin iberik vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Intensiteti i stuhisë së 29 tetorit kapi mijëra njerëz në befasi. Shumica kthehej nga puna dhe u bllokuan në automjete. Të tjerët, u izoluan në shtëpitë e tyre, vendet e punës, restorante apo qendra tregtare, duke pritur me dëshpërim shpëtimin teksa niveli i ujërave rritej.
Më herët gjatë ditës, ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, tha se autoritetet ende nuk mund të ofrojnë një numër të saktë të jetëve të humbura, por theksoi se “shume njerëz” mbeten të zhdukur. Rreth 1 mijë ushtarë u vendosën në zonat e goditura dhe prioriteti i tyre kryesor është gjetja e të zhdukurve.
Ne e dimë se në vende si Paiporta e Massanassa mund të ketë njerëz në garazhe, në bodrume, njerëz që dolën jashtë për të gjetur automjetet e tyre.
Stuhia më rëndë goditi të martën, kur shiu i pothuajse një viti ra brenda vetëm disa orëve, duke shkaktuar përmbytje të shpejta dhe vërshime të lumenjve nëpër rrugë qytetesh. Mbrëmjen e të martës, zyrtarët e Valencias lëshuan një alarm urgjent në telefonat e banorëve, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë brenda ose të kërkojnë terrene të larta, kur shumica e dëmeve tashmë ishin bërë.
Shërbimet e urgjencës u pushtuan nga thirrje të shumta dhe ishte e pamundur të shkonin në zonat më të goditura. Përveç tragjedisë njerëzore, gjithashtu përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë. Mijëra familje akoma nuk kanë lidhje të energjisë elektrike apo ujit të pijshëm. Ata gjithashtu janë plotësisht të izoluara për shkak të mbylljes së rrugëve dhe hekurudhave.
Në një konferencë për media, ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, tha se linja popullore hekurudhore e shpejtësisë së lartë midis Madridit dhe Valencias do të mbyllet për të paktën dy deri në tre javë. Ai theksoi se dy tunele nën të cilët kalon ajo linjë janë dëmtuar rëndë dhe punëtorët do të duhet të riinstalojnë plotësisht linjën hekurudhore.