Aktualitet

Mbi 13 mijë të prekur nga gripi e virozat në javë! Ekspertët: Jemi larg epidemisë!

Në të gjithë vendin më shumë se 13 mijë raste paraqiten çdo javë në spitale e qendra shëndetësore të prekur me grip apo viruset stinore. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik megjithatë qetësojnë dhe thonë se jemi ende larg shifrave që do të çonin në shpalljen epidemisë. Specialisti epidemiolog në ISHP Artan Simaku evidenton edhe rastet me COVID-19, por që sipas tij janë më të pakta në dhe pa komplikime.

“Ka një trend në rritje, mbizotëron gripi ndaj COVID-19. Por jemi ende larg pragut epidemik. Nga monitorimi javor i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme ky numër ka arritur rreth 13,500, por siç thamë prirja është në rritje.”

Gripi dhe virozat stinore prekin të gjithë grupmoshat, por sipas mjekëve më të rrezikuar janë fëmijët dhe mosha e tretë, kryesisht ata të sëmurët kronikë.

“Këtu flas më tepër për moshat që kanë edhe problematika të tjera patologjike, të cilat ndjenjë dicka ndryshe në organizmin e tyre një ulje, një lodhje e pashpjegueshme, një kollë të cilën  tashmë kudo që jemi  ndjejmë që mund të jetë e thatë apo me sekrecione. Unë mendoj që duhet të drejtohen te mjeku. Po ashtu ata pacientë të cilët bëjnë një temperaturë ditën e parë, ditën e dytë e shikojnë që janë rënduar, atëherë duhet të vijnë në Qendrat Shëndetësore të bëjnë një vizitë, të bëjnë testimin”, u shpreh mjekja e familjes Violeta Kacorri.

Krahas virozave dhe gripit stinor, javët e fundit vendi ynë po përballet edhe me sëmundjen e syve, e cila ndryshe njihet si gripi i syrit.

“I ashtuquajturi gripi i syrit është një sëmundje e syrit që quhet keratoconjuncticitis, një infeksion i syrit që shkaktohet nga një adeno-virus që është një virus që qarkullon gjatë stinës së dimrit, por në nivel shumë më të ulët sa gripi. Kjo sëmundje merret pra nga duart e pa pastra, nga higjiena jo e mirë vetjake, nga fërkimi i syve”, shtoi Simaku.

Bluzat e bardha bëjnë thirrje për marrjen e dozave të vaksinës jo vetëm ndaj COVID-19, por edhe ndaj gripit. –Sh.c–