Bota

Mbi 12 milion fëmijë në botë, viktima të skllavërisë moderne!

“Numërohen pothuajse 50 milion njerëz në mbarë botën e që janë viktima të formave të ndryshme të skllavërisë moderne, nga të cilët mbi 12 milion rezultojnë të mitur”. Kjo sipas vlerësimeve zyrtare të organizatës së OKB-së, “Save the Children” me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Raporti vëren se shfrytëzimet regjistrohen veçanërisht në format e punës së detyruar duke përfshirë dhe ato për qëllime të shfrytëzimit seksual, si dhe martesat e detyruara që në fëmijëri, me një trend në rritje.

Mes të miturve 3,3 milion persona janë të përfshirë në punë të detyruar, kryesisht për shfrytëzim seksual (1,69 milion) ose për shfrytëzim pune (1,31 milion), në fusha të tilla si punët e shtëpisë, bujqësia, prodhimi, ndërtimi, lypja apo aktivitete të paligjshme. 320 mijë i nënshtrohen punës së detyruar nga shtetet, si të burgosur, disidentë politikë apo dhe si anëtarë të pakicave të persekutuara etnike ose fetare, siç nënvizon ky raport.

Referuar dokumentit në fjalë, 9 milion janë të mitur, viktima të martesave të detyruara.

Fenomeni i martesave të detyruara, gjeografikisht prek më shumë Azinë Lindore (14,2 milion njerëz të përfshirë në vitin 2021, më shumë se 66% e rasteve të vlerësuara), e ndjekur në distancë nga Afrika (3,2 milion dhe 14,5 %), nga Evropa dhe Azia Qendrore (2,3 milion dhe 10,4%).

Shumica e martesave të detyruara organizohen nga prindërit e viktimave (në 73% të rasteve) ose nga të afërmit (16%) dhe shpesh lidhen me situata të cënueshmërisë së fortë, të tilla si skllavëria në mjediset e shtëpisë ose shfrytëzimi seksual.

Nuk mund të mbyllim sytë para fenomenit të trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve, një tragjedi e përhapur në mbarë botën, theksoi Raffaela Milano, Drejtoreshë Kërkimore dhe Trajnuese e “Save the Children”.