Bota

Mbetet në fuqi dënimi ndaj 99-vjeçares, ish-sekretare në një kamp nazistësh!

Gjykata Federale e Drejtësisë në Gjermani ka lënë në fuqi dënimin ndaj 99-vjeçares Irmgard F., ish-sekretare e kampit të përqendrimit Stutthof, e akuzuar për nxitjen e vrasjeve masive të më shumë se 10.000 njerëzve në periudhën qershor 1943-prill 1945. Gjykata me seli në qytetin lindor Lajpzig, e ka hedhur poshtë ankesën ndaj vendimit të Gjykatës rajonale Itzehoe, në qytetin verior Hamburg, në dhjetor të vitit 2022.

Gjykata rajonale e ka dënuar gruan me dy vjet burgim me kusht për dhënie ndihme dhe nxitje të vrasjeve në 10.505 raste dhe tentim-vrasje në pesë raste. Gruaja, e identifikuar sipas ligjeve gjermane të privatësisë si Irmagard F., është dënuar sikurse të ishte nën moshën 21-vjeçare, pasi ka qenë e mitur në kohën e kryerjes së krimeve. Vendimi është përfundimtar.

Ky rast konsiderohet si ndër gjyqet e fundit penale për adresim të vrasjeve masive që kanë kryer nazistët. Irmgard F. ka punuar si daktilografe në zyrën e komandantit në kampin nazist të përqendrimit Stuttof. Në atë që dikur ka qenë qyteti Danzig tani Gdansk në Poloni e moshuara ka qenë 18 ose 19-vjeçe. Gjykata rajonale ka vlerësuar se gjatë punës së saj, ajo u ka ndihmuar zyrtarëve të kampit në vrasjen sistematike të të ndaluarve.