Aktualitet

Mbështetja mbi përballimin e krizës energjetike, BE-ja i alokon 72 milion euro Shqipërisë!

Bashkimi Europian i transferoi 72 milion euro qeverisë shqiptare si pjesë e mbështetjes së BE-së për të përballuar pasojat socio-ekonomike të krizës energjetike. Këto fonde janë pjesë e Paketës së Mbështetjes së Energjisë, shpallur në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë në vitin 2022 dhe nënshkruar me qeverinë në muajin mars të këtij viti, në kuadër të Planit Vjetor të Veprimit IPA 2023.

Kjo paketë mbështet qeverinë në zbatimin e masave për mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri nga ndikimi i krizës energjetike.

Përmes një njoftimi për shtyp, delegacioni i BE-së në Tiranë bëri të ditur se masat e qeverisë përfshijnë subvencionimin e çmimeve të energjisë, (mundësisht nën një prag të caktuar mujor konsumi) për familjet dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme në Shqipëri, për të ofruar norma të ngjashme si përpara krizës energjetike të vitit 2021. Përllogaritet të mbulojë rreth 1 milion familje dhe 168 mijë ndërmarrje të vogla e të mesme. Po ashtu, dhënien e ndihmës financiare për 11 mijë e 200 persona në nevojë.

Me anë të kësaj pakete mbështeten edhe përpjekjet e qeverisë për të diversifikuar burimet e energjisë përmes investimeve të reja në prodhimin e energjisë nga era e dielli, legjislacioni i ri për energjinë e rinovueshme në përputhje me standardet e BE-së dhe skemat mbështetëse për konsumatorët për të instaluar ngrohës uji me energji diellore. Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann:

Vitin e kaluar, agresioni rus kundër Ukrainës shkaktoi rritje të mëdha të çmimeve të energjisë në të gjithë botën. Nga kjo paketë mbështetëse e BE-së do të përfitojnë drejtpërdrejt të gjithë përdoruesit familjarë të energjisë elektrike dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme në Shqipëri, duke e ndihmuar qeverinë shqiptare t’i mbajë çmimet e energjisë elektrike të qëndrueshme e që të diversifikojë burimet e energjisë. Ky është një shembull konkret që tregon se si i mbështet BE-ja Shqipërinë dhe shqiptarët.

Këto fonde janë grante, të cilat Shqipëria nuk do të duhet t’i kthejë mbrapsht. Më 2024-ën do të transferohen 8 milion euro të tjera, në pritje të progresit që do të arrihet me zbatimin e masave përkatëse nga qeveria.

Një mbështetje tjetër e BE-së për sektorin e energjisë në Shqipëri përfshin rivitalizimin e hidrocentralit të Fierzës, instalimin e një rrjeti diellor lundrues në Vaun e Dejës, si dhe mbështetjen e masave për eficiencën e energjisë në biznes, nëpërmjet programit IPARD.

Bashkimi Europian është partneri i huaj më i fortë i Shqipërisë, duke ofruar mbi 100 milion euro në vit ndihmë financiare në formë grantesh për të mbështetur popullin shqiptar dhe për të ndihmuar Shqipërinë në miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, sociale e ekonomike, kryesore për të respektuar plotësisht vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat e saj.